Rruga e Kombit me ngrica, moti i keq përfshin zonat veriore
Pas disa ditësh me mot të qëndrueshëm dhe diell, vendi është përfshirë gjatë ditës së sotme nga mot i keq, i shoqëruar me reshje shiu, rënie temperaturash dhe reshje dëbore në zonat malore.
Reshjet e borës kanë përfshirë mëngjesin e kësaj të premteje territorin e bashkive Pukë dhe Fushë Arrëz, ku temperaturat kanë zbritur deri në 0 gradë Celsius. Si pasojë, në rrugët e qyteteve janë krijuar terrene të rrëshqitshme, ndërsa në akset nacionale është ndërhyrë në kohë me kriposje dhe qarkullimi vijon normalisht.
Edhe segmentet rrugore rurale raportohen aktualisht të kalueshme, megjithatë trashësia e borës pritet të krijojë problematika kryesisht në aksin Kryezi – Iballë, ku në Qafën e Sharit trashësia e borës ka kaluar 20 centimetra.
Ndërkohë, reshjet e dëborës kanë përfshirë këtë mëngjes edhe qytetin e Shkodër dhe zonat përreth. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka akse rrugore të bllokuara dhe qarkullimi zhvillohet normalisht.
Sa i përket Rruga e Kombit, në të dy drejtimet e lëvizjes Kukës – Tuneli i Kalimashit, po raportohen reshje të dendura shiu të shoqëruara me erë të fortë, çka e bën qarkullimin më të vështirë. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



