E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rudina Hajdari gati të regjistrojë partinë në Gjykatë, grupi s’i jep mbështetje. Murrizi: Mua s’më tërheq njeri prej hunde
Politikë

Rudina Hajdari gati të regjistrojë partinë në Gjykatë, grupi s’i jep mbështetje. Murrizi: Mua s’më tërheq njeri prej hunde

Deputetja Rudina Hajdari pritet të zyrtarizojë këtë të martë krijimin e një force të re politike, ndonëse nuk ka marrë mbështetjen e Grupit Parlamentar, që ajo drejton në Parlament.

Rudina-Hajdari

Bashkëpunëtorët e deputetes Hajdari janë drejt përfundimit të gjithë dokumenteve ligjore për regjistrimin në Gjykatë të forcës së re politike, për t’i hapur rrugë regjistrit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

 

Por pavarësisht se partia e re “Bindja Demokratike” është gati të regjistrohet ligjërisht, pengesa më e madhe e Rudina Hajdarit duket se do të jetë mbështetja politike. “Panorama” kontaktoi me të gjashtë anëtarët e Grupit Parlamentar Demokrat, që prej një jave drejtohet nga Hajdari në Parlament, të cilët mohojnë se do të jenë pjesë e subjektit të ri politik që pritet të krijohet këtë të martë.

QËNDRIMET

Deputeti Myslim Murrizi, i cili ishte edhe një nga iniciuesit e krijimit të Grupit të ri Parlamentar në Kuvend kujton se nuk është nga ata politikanë, që ‘e tërheqin prej hunde’. Sipas tij, nëse Rudina Hajdari do të largohet nga grupi, pjesë e tij do të jenë përfaqësues të rinj që do të hyjnë në Parlament.

“Grupi Parlamentar Demokrat do të vazhdojë ekzistencën e tij, pavarësisht vendimeve që do të marrë zonja Hajdari. Nëse ikën Rudina, janë anëtarët e tjerë aty. Unë nuk besoj se Rudina do të largohet nga ky grup. Unë e kam bërë të qartë. Mua nuk më tërheq njeri për hunde. Unë i zgjedh vetë partitë ku shkoj sepse kam me vete njerëzit në zonën time që më mbështesin. Kam pasur gjithmonë ftesa të vazhdueshme për të qenë pjesë e forcave politike, por i kam qëndruar besnik bindjeve të mia”, sqaron Murrizi. Edhe deputeti i PD-së në Kukës, Alban Zeneli, konfirmon se Grupi Parlamentar Demokrat nuk ka autorizuar askënd për krijimin e një force të re politike.

“Grupi Demokrat nuk është pjesë e kësaj partie. As nuk kemi autorizuar njeri për krijimin e një force të re politike, apo të bisedoj me njeri tjetër jashtë nesh. Grupi është formuar mbi bazën e aksioneve politike të gjithsecilit, na kanë bashkuar ato parime dhe objektiva që kemi për të arritur në Parlament”, thekson Zeneli. Deputeti Arben Elezi deklaron se aktualisht e mbështet Rudina Hajdarin si kryetare grupi, ndërkohë që lë të hapur çdo mundësi që do t’i jepet në muajt në vazhdim. “Aktualisht, unë jam pjesë e Grupit Parlamentar Demokrat, pastaj duke i parë gjërat me qetësi, do të marr vendimin e duhur. Unë e mbështes zonjën Hajdari si kryetare të Grupit Parlamentar, për të tjerat duhet t’ia lëmë kohës”, deklaron Elezi.

PËRJASHTIMI

Deputeti demokrat i Kamzës, Korab Lita, është më radikal në qëndrimin e tij. Duke kujtuar motivet për të cilat u krijua Grupi Parlamentar Demokrat, Lita thekson se, nëse deputetja Hajdari do të krijojë parti të re, ajo do të duhet të largohet nga grupi i sapokrijuar.

“Në demokraci çdokush është i lirë të krijojë një forcë të re politike. Unë jam në Parlament me votën e demokratëve të Kamzës. Për këtë arsye, unë nuk kam asnjë të drejtë dhe asnjë lloj morali që t’i marrë votat e demokratëve të Kamzës dhe t’i çoj në një parti tjetër. Ato vota janë të PD-së dhe unë do të ndjek linjën e forcës sime politike në Parlament, pavarësisht divergjencave dhe kundërshtive që mund të krijohen brenda partisë. Grupi Parlamentar Demokrat është krijuar me deputetë të PD-së, nëse Rudina apo kushdo tjetër krijon një parti tjetër, duhet të shkojë në partinë tjetër, ndërkohë ne do të vazhdojmë të funksionojmë mes nesh”, shprehet Lita. Edhe deputeti i Dibrës, Halil Jakimi, kërkon që Hajdari dhe të gjithë kolegët e Grupit Demokrat në Parlament t’i qëndrojnë besnik qëllimeve për të cilat u grupuan, që lidhen me ndryshimin e sistemit zgjedhor. “Unë jam pjesë e Grupit Parlamentar Demokrat dhe pjesë e grupit të Rudinës për të bërë betejën për ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Unë nuk e kam çuar ndër mend angazhimin në një forcë të re politike. Bashkë jemi bërë pjesë e grupit, pasi ndanim të njëjtat qëllime për sistemin zgjedhor. Rudina nga unë nuk ka marrë asnjë opinion në lidhje me këtë forcë të re politike. Qëllimi ynë është të vazhdojmë betejën për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe jo për krijimin e një force të re politike”, thekson Jakimi.

GRUPI PARLAMENTAR DEMOKRAT (PD)

Rudina Hajdari
Myslim Murrizi
Alban Zeneli
Arben Elezi
Arlind Çaçani
Halil Jakini

S’JANË FUTUR NË GRUP
Ligoraq Karamelo

Majlinda Halilaj

Lefter Maliqi

Adriatik Alimadhi

HYJNË NGA LISTAT E PD KËTË TË ENJTE
Andi Përmeti
Erion Piciri
Fatjona Dhimitri
Zef Shtjefni
Nikol Staka
Artur Roshi

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.