Safet Bajri, akuzohet për vrasjen e Fatbardh Licit
Shkodër – Me urdhër të SPAK, është arrestuar Safet Bajri, një nga drejtuesit kryesorë të grupit kriminal “Bajri”, i cili vepronte në Dobraç të Shkodrës. Arrestimi i tij lidhet me vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur më 10 gusht 2018, si dhe me akuzën e përfshirjes në një grup të strukturuar kriminal.
Sipas burimeve, ekzekutimi i Licit dyshohet se ishte një akt hakmarrjeje nga fisi Bajri, pas vrasjes së ish-policit Boran Bërçana. Bërçana u ekzekutua së bashku me bashkëshorten e tij Silvi Ndoci, më 15 korrik 2018, në një atentat të organizuar poshtë banesës së tyre me qira. Në makinë ndodhej edhe fëmija i tyre 3-vjeçar, i cili shpëtoi pa lëndime.
Lufta mes grupeve kriminale në Shkodër
Bërçana dyshohej për lidhje me grupin Bajri, ndërsa vrasja e tij u pa si një goditje nga fisi Lici, i cili ka lidhje të ngushta me Lulzim Kullën, një tjetër figurë e njohur e botës së krimit. Konfliktet mes këtyre grupeve kanë shënuar disa atentate dhe përplasje të përgjakshme gjatë viteve të fundit.
Arrestime të tjera
Përveç Safet Bajrit, GJKKO, me urdhër të SPAK, ka lëshuar një tjetër urdhër-arrest për Asmer Bilalin, i cili ndodhet aktualisht në burg për vepra të tjera penale. Po ashtu, është firmosur një urdhër-arresti edhe për një tjetër anëtar të fisit Bajri, por identiteti i tij nuk është bërë ende publik.
Kjo lëvizje e SPAK vjen si pjesë e një operacioni më të gjerë për të goditur grupet kriminale dhe zinxhirët e tyre të hakmarrjeve në qytetin e Shkodrës, i cili prej kohësh është një nga pikat më problematike për sigurinë publike në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



