Sahanlëpirësit urbanë
Artisti, pushteti dhe heshtja e blerë
Për të kuptuar kompleksitetin e kësaj situate, është e pamundur të mos ndalemi tek një fenomen paralel që po ndodh në hapësirën publike shqiptare. Artisti i vërtetë është simbol i shpirtit të lirë, një zë që flet për të vërtetën, për shpresën dhe për njerëzit e thjeshtë. Por sot, një pjesë e madhe e skenës së artit shqiptar është shndërruar në një mashë të pushtetit, ku disa artistë dhe prezantues të njohur janë bërë sahanlepirës të zellshëm të çdo politiku që u ofron një financim, një skenë ose një mundësi të re për të dalë në televizion.
Në krye të kësaj parodie qëndron Ardit Gjebrea, një mjeshtër i kompromisit perfekt. Dikur një figurë e respektuar në muzikë, sot ai është kthyer në simbolin e artit të sponsorizuar nga politika. Gjebrea di të përshtatet si kameleon mes politikës dhe artit, duke kënduar herë për dashurinë dhe herë për dhimbjen, por më së shumti për miqtë e tij të fuqishëm që e mbështesin me fonde të majme për festivalet e tij.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, të pasqyruara në Open Spending Data, Bashkia e Tiranës ka dhënë miliona lekë për festivalin “Kënga Magjike”, një projekt i menaxhuar nga kompania Jon Music, në pronësi të Gjebreas. Nga viti 2019 deri në 2022, janë bërë të paktën 6 transaksione në favor të Jon Music, duke përfshirë shuma të tilla si 8 milionë lekë për festivalin e vitit 2022 dhe disa pagesa të tjera me vlera nga 2 deri në 7.9 milionë lekë për çdo edicion.
Kjo mbështetje financiare nga bashkia shpjegon më së miri arsyen e reagimit të tij të zjarrtë në mbrojtje të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në momentin kur Veliaj u bë subjekt i një hetimi nga SPAK, Gjebrea doli hapur në rrjetet sociale, duke e quajtur atë një hero të transformimit të Tiranës dhe duke përdorur hashtag-un e famshëm #JamErion për ta mbështetur publikisht.
A është kjo mbrojtje sinqeriteti i një qytetari të angazhuar, apo thjesht një mburojë për interesat personale?
Mbrojtja e Gjebreas dhe artistëve të tjerë, që gjithashtu përfituan nga fondet publike, përbën një problem të thellë në shoqërinë tonë. Artistët që dikur ishin zëri kritik ndaj pushtetit, sot kanë zgjedhur të bëjnë sikur nuk shohin dhe të heshtin ndaj çështjeve të rëndësishme, përveçse kur vjen fjala për të mbrojtur burimin e financimeve të tyre. Nga këngëtarë të guximshëm, janë kthyer në shërbëtorë të heshtur të rrymës politike të ditës, duke e kthyer artin në një reklamë të zgjatur politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



