E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sako i jep  300 mijë euro  Zotos, Durrësi noton në plehra
Lajme

Sako i jep 300 mijë euro Zotos, Durrësi noton në plehra

Bashkia e Durrësit po tregon gjithnjë e më tepër se prioriteti i saj janë pagesat për depozitimin e mbetjeve në landfillin privat të Klodian Zotos në Tiranë se sa pastrimi i plehrave të qytetit. Një ditë më parë, Syri Televizion përcolli shqetësimin e banorëve të ish-Kënetës, të cilët shtyjnë ditët nën erën toksike të mbeturinave që gjenden të përhapura thuajse në të gjithë zonën. Banorët u shprehën se situata me plehrat është emergjente, ndërkohë që drejtuesit lokalë kujtohen për hallet e tyre vetëm në fushatë elektorale.

Por, ndërkohë që banorët trajtohen si personazhe të dorës së dytë, Bashkia e drejtuar nga Emirjana Sako tregohet shumë e përpiktë me pagesat për kompaninë koncesionare “Integrated Energy BV”, e cila menaxhon vend-depozitimin e mbeturinave në Sharrë të Tiranës.

Mesjavën e kaluar, Bashkia e Durrësit transferoi në llogarinë e kompanisë së krijuar nga biznesmeni në kërkim, Klodian Zoto, mbi 300 milionë lekë të vjetra, ose rreth 300 mijë euro, për depozitim mbeturinash. Është e paqartë se çfarë mbeturinash janë dorëzuar në landfillin privat, kur situata në terren tregon se plehrat janë përhapur gjerësisht në brigjet e lumit apo në zona të tjera të Durrësit.

Bashkia e qytetit nënshkroi vitin e kaluar një kontratë aspak favorizuese me kompaninë “Integrated Energy BV” për depozitimin e mbetjeve pranë landfillit të Sharrës. Sipas kësaj kontrate, Durrësit detyrohet të dërgojë plehrat në landfillin e Tiranës për një periudhë 10-vjeçare, me një kosto prej rreth 50 milionë euro. Deri më tani, Bashkia e qytetit bregdetar ka arkëtuar mbi 2 milionë euro për llogarinë e kompanisë së themeluar nga i arratisuri Klodian Zoto, ndërkohë që qyteti ende vuan probleme të theksuara me plehrat.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.