Sali Berishës i shtohet një akuzë e re nga SPAK
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit paraditen e sotme në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë që lidhet me çështjen e njohur si afera “Partizani”.
Pas paraqitjes së tij, Berisha foli për mediat, ku deklaroi se Prokuroria e Posaçme i ka shtuar një tjetër element akuzues në dosje, që sipas tij lidhet me investimet e fëmijëve të tij në pasuri të paluajtshme.
Berisha sqaroi se bëhet fjalë për një apartament të privatizuar, ku ai zotëron një pjesë të pronësisë, ndërsa pjesa tjetër u takon fëmijëve të tij, të cilët në atë kohë kishin mbushur moshën 18 vjeç. Sipas tij, përfitimi është bërë në përputhje të plotë me ligjin e privatizimit të banesave, një proces nga i cili kanë përfituar rreth një milion qytetarë shqiptarë.
Ai hodhi poshtë akuzat e SPAK, duke i cilësuar ato si politike dhe të pabazuara në fakte konkrete. Berisha theksoi se në deklaratat e pasurisë të dorëzuara ndër vite në ILDKPKI, pasuritë e familjes së tij janë pasqyruar rregullisht dhe pa asnjë shkelje ligjore.
Sipas tij, fëmijët e tij nuk kanë qenë kryefamiljarë, por anëtarë të familjeve përfituese, një status i parashikuar qartësisht nga ligji nr. 7652 për privatizimin e banesave. Ai shtoi se përfshirja e këtyre përfitimeve në dosjen penale përbën një përpjekje për të rënduar artificialisht akuzat ndaj tij.
Berisha e cilësoi këtë zhvillim si një “novitet absurd” të hetimit, duke akuzuar prokurorët për konkluzione që, sipas tij, nuk kanë as lidhje faktike dhe as natyrë penale, por synojnë krijimin e një narrative politike kundër tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



