E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Salianji-Balliu-Kokalari, ‘3 musketierët’ që duan të sfidojnë Berishën
Lajme

Salianji-Balliu-Kokalari, ‘3 musketierët’ që duan të sfidojnë Berishën

Gara për drejtimin e Partisë Demokratike po shkon drejt një skenari pa rivalë për Sali Berishën, teksa këtë të enjte në orën 12:00 përfundon afati për dorëzimin e kandidaturave.

Zhvillimet e fundit në selinë blu sugjerojnë se procesi mund të mbyllet pa një garë reale. Një udhëzim i brendshëm, i cili sipas burimeve është mbajtur fillimisht jo publik, parashikon përjashtimin nga kandidimi të personave të dënuar me vendim të formës së prerë. Ky kriter prek drejtpërdrejt Ervin Salianji, duke e vendosur atë në pamundësi ligjore për të hyrë në garë.

Megjithatë, ish-deputeti ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet. Ai është shprehur se do të dorëzojë të gjithë dokumentacionin e kërkuar, pavarësisht se e konsideron procesin të manipuluar.

Sipas Salianjit, publikimi i kritereve vetëm pak orë para mbylljes së afatit, mungesa e listave zgjedhore dhe pabarazia në kohën e fushatës janë elementë që e bëjnë procesin të paragjykuar. Ai e cilëson këtë një përpjekje për të shmangur përballjen politike dhe një tregues të frikës për garë.

Në të njëjtën linjë kritike është shfaqur edhe aktivistja Evi Kokalari, e cila ka akuzuar drejtpërdrejt Shkëlzen Berishën për ndikim në vendimmarrje. Sipas saj, kriteret janë miratuar që më 18 mars, por janë bërë publike qëllimisht vetëm një ditë para skadimit të afatit, me synimin për të lënë jashtë kandidatë të tjerë potencialë.

Në reagimin e saj, Kokalari përmend gjithashtu edhe emrat e Albana Vokshit dhe Gazment Bardhit, duke i akuzuar për rol në procesin që ajo e konsideron manipulues dhe të padrejtë ndaj anëtarësisë së partisë.

“Sidoqoftë, do ta dorëzoj kandidaturën sipas “kritereve” që keni ndryshuar ti, babai yt, Albana Vokshi — e cila nuk është zgjedhur asnjëherë me votë dhe do të penalizohet në të ardhmen për manipulimin e pastër të votave dhe bashkëpunimin me ju për marrjen peng të PD-së — si dhe Gaz Bardhi, i cili është në një pozicion shumë më të keq se Vokshi dhe nuk ka qenë pjesë e Rithemelimit që mundësoi marrjen e PD-së. Madje, së bashku me Babalën, helmuan demokratët dhe blinduan selinë për të dëmtuar misionin tonë”, shkruan Kokalari.

Pavarësisht klimës së tensionuar dhe pengesave të ngritura, pritet që gjatë ditës të dorëzojë kandidaturën edhe Alesia Balliu, duke lënë ende një hapësirë të vogël për një garë formale.

Udhëzimi i publikuar zyrtarisht përcakton tre kritere kryesore për kandidatët: përvojë politike dhe funksione drejtuese në parti, si dhe mungesën e një dënimi penal të formës së prerë. Pikërisht ky kriter i fundit ka ngjallur më shumë debat, pasi interpretohet si një mekanizëm përjashtues ndaj kundërshtarëve të mundshëm.

Në këto kushte, zgjedhjet e 23 majit rrezikojnë të zhvillohen pa konkurrencë reale, duke thelluar ndarjet dhe debatet brenda Partisë Demokratike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.