Seancë e jashtëzakonshme te Filologjiku. Ja çfarë u vendos
Dekani i Fakultetit Histori Filologjisë, Sabri Laci ka njoftuar ne mbyllje te mbledhjes në një seancë të jashtëzakonshme të trupës akademike, se asambleja ka qene unanime dhe ka dale me nje sere vendimesh.
Pike e pare dhe e rendesishme eshte sipas tij, se trupa akademike e ketij fakulteti ka vendosur qe kjo jave do te jete nje jave proteste, pra stafi akademik do te jete ne godine, por nuk do te zhvillohet mesim.
“Asambleja ishte unanime në vendimmarrjen e sotme: U vendos që kjo javë të shpallet javë proteste, nga stafi akademik, në vijimësi protesta të vazhdojë një ditë në javë, sipas një kalendari. Qëllimi i kësaj proteste të vijueshme do të jetë ndërgjegjësimi i opinionit për problematikën e gjerë që ka arsimi i lartë në vend”- tha ai.
Dy muaj pa mësim, seancë e jashtëzakonshme te Filologjiku
BESARTA BASHA/ Në një kohë që pedagogët e Fakultetit Histori Filologjisë nuk e kanë ndarë ende mendjen për t’u futur në grevë e nga ana tjetër as nuk kanë ndër mend t’u kthehen auditorëve në të tilla kushte, frerët e situatës i ka marrë në dorë dekani.

Sabri Laci do të mbledhë sot në një seancë të jashtëzakonshme të gjithë trupën akademike, për të diskutuar mbi gjendjen e krijuar prej dy muajsh në fakultet dhe zgjidhjet e mundshme.
“Mbështetur në nenin 41, pika 3, të Ligjit nr 80/2015 ‘Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë’, si dhe nenin 45, pika 3, të Statutit të UT-së, vendosa: thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të samblesë së FHF-së me rend dite: situata në FHF dhe propozimi i zgjidhjeve”. Mbledhja e pazakontë, e para e këtij lloji, do të zhvillohet paraditen e sotme, në orën 10:00, në një prej sallave më të mëdha që ka ky fakultet. Prej disa ditësh, studentëve bojkotues iu janë bashkuar hapur edhe shumica e pedagogëve të këtij fakulteti.
Sakaq, me asamblenë e përgjithshme të pedagogëve, prej 25 janarit, pedagogët janë bërë bashkë për të kërkuar një ligj të ri për arsimin, rrëzimin e vendimeve të dhjetorit të qeverisë, rritjen e buxhetit për arsimin, mbështetjen e kërkesave të studentëve si dhe respektimin e figurës së tyre.
Në mbledhjen e dytë të kësaj asambleje janë shtuar thirrjet për grevë pa afat, por vendimi final iu është deleguar asambleve përkatëse të çdo fakulteti, organ ky i njohur dhe në ligj. Kujtojmë që qeveria nuk është shprehur për pesë kërkesat e tyre, ndërsa ministrja e Arsimit, në një takim nuk ka shprehur as vullnetin më të vogël për t’u dhënë zgjidhje, me arsyetimin se “Pakti për universitetin” përmbush të gjitha çështjet që shqetësojnë trupën akademike.
TRANSPARENCA E UNIVERSITETEVE
Pas vendimit për tarifat, një nga një Ministria e Arsimit po i jetëzon të gjitha vendimet dhe aktet e qeverisë, pjesë e paktit të saj për universitetin. Në kuadër të transparencës së universiteteve, një kërkesë kjo edhe nga ana e studentëve, ka bërë publik formatin, ku të gjitha IAL-të do të pasqyrojnë të dhëna të detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare.
Bazuar në urdhrin e përbashkët të MAS dhe Ministrisë së Ekonomisë, universitetet duhet të raportojnë çdo muaj, mbi bazën e së cilës do të bëhet rakordimi me degën e thesarit për t’u publikuar në faqen zyrtare. Formati i raportimit që gjendet në faqen e ministrisë është i ndarë në tri zëra: të ardhurat, shpenzimet nga granti i buxhetit të shtetit dhe shpenzimet nga të ardhurat e universitetit.
Ndërsa në kategorinë e parë janë nëntë zëra që nga tarifat e shkollimit, tarifat e regjistrimit, donacionet e deri te projektet dhe veprimtaritë kërkimore-shkencore, në dy kategoritë e tjera treguesit janë të ngjashëm. Qeveria dëshiron të dijë vetëm nëse ndërtimet, rikonstruksionet, blerjet a bursat e ndryshme realizohen me të ardhurat e buxhetit të shtetit apo nga vetë universitetit falë të ardhurave që gjeneron.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



