Sekuestrohet incineratori i Elbasanit dhe fabrika e pijeve ‘Gjergj Kastrioti
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u arrestua të martën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve për koncesionin kontrovers të incineratorit të Elbasanit.
SPAK kërkoi gjithashtu arrestimin e shtetases Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zotos, pronar i kompanisë Integrated Technology Services, por këta dy të fundit u shpallën në kërkim pasi policia nuk arriti të gjejë vendndodhjen e tyre. Mbi të dyshuarit rëndojnë akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave.
Kjo është goditja e parë e korrupsionit në nivel të lartë nga SPAK dhe u lavdërua nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë si tregues i suksesit të reformës në drejtësi ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha akuzoi Edi Ramën si përgjegjës final të aferës së incineratorëve.
Sipas SPAK, Koka ka lejuar përfitime të padrejta nga ana e pronarëve të kontratës së koncesionit, e cila u lidh përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë pa shpallje nën justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare.
Sipas SPAK, koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin ndërsa Albtek dhe Integrated Technology Services kanë bërë pagesa për kompani të cilat dukshëm nuk kanë kryer punimet për të cilat janë paguar.
Caktimi i masës së sigurimit pasurore ‘sekuestro preventive’ për personin juridik ‘Albtek Energy’ sh.p.k., me seli qëndrore në Elbasan, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.
Caktimi i masës së sigurimit pasurore ‘sekuestro preventive’ për personin juridik ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k., me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.
Caktimi i masës së sigurimit pasurore ‘sekuestro preventive’ për pasurinë në zotërim të shtetasit L.K., të ‘88, 19 %’ të aksioneve në pronësi të tij në shoqërinë tregtare ‘Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu’ sh.a., me Nipt J61811527M, me seli në Rrashbull, Durrës, që iu korrespondon vlera prej 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale.
‘Shtetasi L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare ‘Albtek Energy’ sh.p.k. dhe ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij,’ thuhet më tej në deklaratë.
Grupi i kompanive pas incineratorit të Elbasanit janë përfitues edhe të dy kontratave të tjera kontroverse të dhëna nga qeveria aktuale e kryeministrit Edi Rama, incineratori i Fierit dhe landifilli i Tiranës. SPAK nuk bëri të ditur se çfarë ndodh me këto dy kompani të tjera.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



