Sfidat me eliminim direkt, Italia dyfish më ekspertë
Faza e 1/8-ave e fut Europianin në një rrugëtim pa kthim, ku çdo gabim paguhet dhe ku çdo eksperiencë është e vlefshme. Njësoj si në Ligën e Kampioneve. “Gazzetta dello Sport” krahason paraqitjet që “Axurrët” kanë në këtë kompeticion deri në sezonin e fundit të luajtur, 467 prezenca kundrejt vetëm 204 të austriakëve. Dhe natyrisht që kjo diferencë nuk është e paktë, duke parë se bëhet fjalë për një duel që kërkon nerva të fortë, ndaj kjo e bën favorite Italinë.
Prandaj, në “Wembley”, përballë Austrisë, momenti i ekzekutimit të himneve mund të jetë frymëzues dhe më i lehtë për t’u përballuar për ato që janë mësuar më shumë të dëgjojnë himnin e Ligës së Kampioneve. Madje, më të karikuarit në aspektin e frymëzimit do të jenë Zhorzhinjo dhe Verrati tek Italia, të freskët nga fitimi i finales së fundit europiane në sezonin e sapombyllur (Zhorzhinjo fitoi me Çelsin Champions-in, pasi mundën Sitin), ndërsa ylli i PSG-së nëse do të ketë mundësinë do të kërkojë të gjejë me sy Alabën, atë që me Bajernin e Mynihut i mohoi suksesin në Champions dy sezone më parë, pasi PSG-ja u mposht me austriakun në finale. Dhe, pse jo, sot do të kërkojnë një hakmarrje personale. Prandaj, nëse formati i Europianit është i njëjtë me atë të Ligës së Kampioneve, duke krahasuar vetëm formacionet titullare që priten mbrëmjen e sotme në mitikun “Wembley”, as këtu nuk mund të ketë një sfidë: 237 prezenca për italianët në Europë dhe 164 për austriakët.

Madje, nëse hymë edhe më në detaje, të kaltrit kanë vetëm dy lojtarë që nuk kanë luajtur ndonjëherë në Champions, ndërsa rivalët 4. E gjithë eksperienca e Austrisë valëvitet në numrin e fanellës së David Alabës, 28 vjeç dhe me 91 takime në turneun më të rëndësishëm për klubin, ku për më shumë se pas 10 viteve me Bajernin ka fituar edhe dy herë kupën me veshët e mëdhenj. Tek Italia, “flamuri” i eksperiencës është kapiteni Kielini me 73 ndeshje, por që ndryshe nga homologu i tij ka shkuar dy herë në finale pa mundur ta fitojë Champions-in.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



