Sfidohet përsëri Kushtetuesja, PS voton në mesnatë kundër heqjes së mandatit të Olta Xhaçkës!
Sot në Kuvend ndodhi një tjetër skandal, teksa mazhoranca qeverisëse shkeli për herë të dytë Kushtetutën, duke refuzuar zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse ishte raportuar më parë se Partia Socialiste kishte pranuar që çështja e mandatit të Olta Xhaçkës të kalonte në Gjykatën Kushtetuese, veprimet e djeshme në Kuvend dëshmojnë të kundërtën.
Pas një seance maratonë që zgjati deri në mesnatë, deputetët socialistë votuan me 65 abstenime dhe 9 kundër që të mos zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili kërkonte shqyrtimin e papajtueshmërisë së mandatit të Olta Xhaçkës. Kjo çështje është e lidhur me faktin se bashkëshorti i Xhaçkës është shpallur investitor strategjik, duke e vendosur në një konflikt të mundshëm interesi.
Ky është rasti i dytë kur mazhoranca refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kryetarja e kësaj gjykate, në një deklaratë të mëparshme, e kishte bërë të qartë detyrimin e Kuvendit për të zbatuar vendimet e saj pa vonesa, duke theksuar se ato kanë efektin e forcës së ligjit dhe nuk mund të vihen në diskutim nga asnjë organ shtetëror.
Ky veprim i socialistëve tregon një përpjekje të hapur për të mbrojtur Olta Xhaçkën dhe për të shmangur dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke shkelur kështu rregullat e shtetit të së drejtës dhe duke thelluar mosbesimin ndaj institucioneve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



