SHBA ‘i pret krahët’ Izraelit, Trump befason me deklaratën e fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur hapur kundër planeve të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për aneksimin e Bregut Perëndimor, duke theksuar se një veprim i tillë nuk do të marrë mbështetjen e Uashingtonit.
Para fjalimit të Netanyahut në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të premten, Trump u tha gazetarëve nga Zyra Ovale: “Nuk do ta lejoj Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor…Kjo nuk do të ndodhë.”
Presidenti amerikan, i cili pritet të zhvillojë një takim me Netanyahun të hënën, shtoi gjithashtu se negociatat për një marrëveshje që do të përfshinte Gazën janë në një fazë shumë të avancuar.
“Po i afrohemi shumë arritjes së një marrëveshjeje për Gazën, dhe ndoshta edhe paqes,” deklaroi ai të enjten.
Izraeli ndodhet përballë një trysnie gjithnjë e më të madhe ndërkombëtare për t’i dhënë fund si luftës në Rripin e Gazës, ashtu edhe politikave të okupimit në Bregun Perëndimor, ndërsa gjithnjë e më shumë vende perëndimore po e njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës.
Në krahun tjetër, elementë të ekstremit të djathtë në koalicionin qeverisës të Netanyahut vazhdojnë të ushtrojnë presion për aneksimin e plotë të Bregut Perëndimor, një hap që, sipas tyre, do t’i jepte fund përpjekjeve për një shtet të pavarur palestinez.
Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë bërë të ditur se i kanë dhënë Izraelit paralajmërime të qarta kundër aneksimit, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, deklaroi në selinë e OKB-së të hënën se një veprim i tillë “do të ishte moralisht, ligjërisht dhe politikisht i patolerueshëm.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



