SHBA jep miliona dollarë për të forcuar SPAK dhe BKH
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ja kanë bërë edhe një herë të qartë politikës se reforma në drejtësi është prodhim i tyre dhe askush nuk mund të pengojë avancimin e saj.
Sado Edi Rama shprehet se e bëri ai reformën dhe Berisha nga ana tjetër e sulmon dhe e anatemon, për amerikanët SPAK, BKH, KLGJ, KLP dhe organet e tjera do të jenë më të forta dhe larg ndikimit politik.
Në raportin buxhetor amerikan për vitin 2024, sa i takon shpërndarjes së fondeve për shtetet aleate përmes USAID. Janë afro 12 milionë dollarë që do të jepen për vendin tonë për reformën në drejtësi, burgjet, policinë, ushtrinë, etj. Nga këto 5.6 mln USD do të shkojnë kryesisht vetëm për drejtësinë dhe zbatimin e ligjit.
Amerikanët e bëjnë të qartë në dokument se do të ndihmojnë Shqipërinë që të avancojë me reformat me qëllim anëtarësimin në BE.
“Asistenca do të ndihmojë Shqipërinë të luftojë krimin e organizuar transnacional dhe korrupsionin, duke zhvilluar kapacitetet e zbatimit të ligjit me qëllim hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të lidhura me trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave dhe krimit kibernetik”, theksohet në raport.
Por ndryshe nga herët e tjera, këtë vit një vëmendje i jepet ndikimit rus. SHBA do asistojë për të ndërprerë çdolloj lidhje të bizneseve, shërbimeve apo politikanëve me Moskën.
“Ndihma do të forcojë gjithashtu sundimin e ligjit dhe avancimin e reformave në institucionet joefektive, të cilat pengojnë integrimin e mëtejshëm transatlantik, duke reduktuar kështu mundësi për ndikim malinj rus”, theksohet më tej.
Por padyshim pjesa më e madhe e parave do të shkojnë për drejtësinë e re. SHBA e bën të qartë se pret goditje të nivelit të lartë, teksa thekson se do të rriten fondet për SPAK, BKH dhe organet e tjera të reja.
“Përmes trajnimeve, pajisjeve dhe mbështetjes teknike, fondet do të vazhdojnë të përmirësojnë aftësitë e zbulimit dhe të zbatimit të ligjit, si dhe do të forcohet profesionalizmi i institucioneve për reforma të qëndrueshme. Fondet do të përdoret gjithashtu për të rritur profesionalizmin dhe pavarësinë politike të prokurorëve dhe gjyqtarëve përmes trajnimit dhe ngritjen e mekanizmave mbikëqyrës.
Ndihma do të vazhdojë të rritet për reformën në drejtësi, duke mbështetur institucionet e sapokrijuara, përfshirë Strukturën e Specializuar Kundër Korrupsionit, Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLP, apo Byronë Kombëtare të Hetimit). Me qëllim hetimin dhe ndjekjen penalisht dhe gjykimin me sukses të rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thekson SHBA.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



