SHBA sjell testin e së vërtetës për BKH, standarde të forta si të FBI
Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi dje se në mbledhjen e së hënës, 25 nëntor, do të emërohen 8 prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

“Do bëhet miratimi i projektakteve për emërimin e 8 (tetë) prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme: Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho. Shpallja e garës për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Miratimin e metodologjisë për vlerësimin e kandidatëve për drejtues të Prokurorisë së Posaçme”, njoftoi KLP-ja.
Struktura e Posaçme Antikorrupsion është struktura e posaçme, që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me ngritjen e SPAKut do të shkrihet Gjykata për Krime të Rënda, kompetencat e së cilës do t’i kalojnë gjykatave në rrethe.
“MAKINAT E SË VËRTETËS”
SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do të jenë struktura të specializuara për hetimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe funksionarëve të lartë të shtetit. Ligji parashikon se BKH-ja do të jetë në varësi të SPAK-ut, por gjithashtu është një njësi që kryen hetime të pavarura. E krahasuar shpesh nga SHBA-të me FBInë amerikane, duket se anëtarët e saj jo vetëm do trajnohen në Akademinë e FBIsë, por edhe do të testohen paraprakisht me makina të së vërtetës. Ambasada tha dje se këto pajisje do të përdoren nga persona të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të ndihmojnë në ruajtjen më të lartë të integritetit të kandidatëve.
“Këtë javë, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) hodhi një tjetër hap përpara drejt ngritjes së saj me dhurimin e pesë paketave të kontrollit poligraf nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për Ministrinë e Brendshme. Pajisjet do të përdoren nga poligrafë të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilët do të kryejnë testimet e aplikantëve për Byronë Kombëtare të Hetimit, për të ndihmuar në ruajtjen e standardeve më të larta të integritetit. Dhurimi dhe certifikimi i poligrafëve është pjesë e një programi dhjetëjavor, financuar nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës nëpërmjet Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnime në Hetimet Penale (ICITAP). Drejtori i përgjithshëm dhe ekipi menaxhues i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SIAC)- organizata që do të punësojë shqyrtuesit e poligrafëve- iu bashkua drejtuesit të programit ICITAP dhe drejtueses së INL në Shqipëri për ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve”, njoftoi ambasada e SHBA.
BKH përbëhet nga një drejtues dhe një ekip hetuesish, të cilët do të duhet të përmbushin standarde të forta, të ngjashme me ato të FBI-së. Kryeprokurori i posaçëm i SPAKut, së bashku me dy prokurorë të posaçëm të tjerë, do të zgjedhin bashkërisht drejtorin e BKH-së.
LISTA E ANETAREVE TE SPAK
Altin Dumani, prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë
Arben Kraja, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
Behar Dibra, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Edvin Kondili, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Elida Celami (Kaçkini) prokurore në Prokurorinë e Tiranës
Ened Nakuçi, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Enkeleda Millonai, prokurore në Prokurorinë e Elbasanit
Klodian Braho, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



