Shehaj ngre alarmin: AKSHI në duart e bandave!
“Rrezikohen pronat dhe të dhënat e çdo qytetari”
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka ngritur sot një alarm të fortë publik mbi rrezikun që, sipas tij, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) paraqet për sigurinë e të dhënave personale dhe pronësore të qytetarëve shqiptarë.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj deklaroi se AKSHI ka nën kontroll çdo informacion jetik të qytetarëve, duke nisur nga të dhënat e pronësisë, shëndetit, biometrisë, hyrje-daljet nga vendi, gjobat, e deri te informacionet bankare. Sipas tij, ky fakt merr përmasa edhe më alarmante pas zbulimeve të SPAK, që tregojnë se institucioni kontrollohet nga struktura kriminale.
Shehaj theksoi se, sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, përmes AKSHI-t janë kryer ndërhyrje të paligjshme në Kadastrën Shtetërore, ku janë ndryshuar pronarë pronash, duke cenuar drejtpërdrejt sigurinë juridike të qytetarëve.
“Është e paimagjinueshme që drejtoresha e AKSHI-t, e cila ndodhet në arrest shtëpie dhe cilësohet nga SPAK si pjesë e një bande kriminale, vazhdon të mbahet në detyrë nga Edi Rama, ndërkohë që ka akses mbi çdo të dhënë të jetës sonë,” u shpreh Shehaj.
Sipas tij, heshtja e kryeministrit dhe vazhdimi i mbajtjes në poste i zyrtarëve nën hetim përbën një kërcënim serioz për demokracinë, pasi krijon terren për shantazh, presion dhe manipulim përmes keqpërdorimit të të dhënave personale.
Shehaj u bëri thirrje qytetarëve që të mos e normalizojnë këtë situatë, duke paralajmëruar se sot rrezikohen pronat, ndërsa nesër mund të vihet në rrezik vetë liria personale përmes përdorimit të të dhënave biometrike.
“Sot janë pronat. Nesër, me të dhënat tona biometrike, mund të inkriminojnë kë të duan, kur të duan. Kjo nuk është demokraci. Jemi të gjithë pengje të bandave,” deklaroi ai.
Duke cituar edhe një rast konkret, Shehaj tregoi se një qytetar i kishte shkruar pasi kishte marrë përgjigjet e analizave mjekësore përmes e-Albania, duke ngritur shqetësimin se kush ka akses mbi këto të dhëna.
“Po, absolutisht po. AKSHI ka në dorë çdo informacion që lidhet me jetën tonë të përditshme: shëndetin, sëmundjet, ilaçet, pronat, hyrjet dhe daljet nga Shqipëria, gjobat. Dhe sipas SPAK, ky pushtet është në duart e një strukture kriminale, ndërsa qeveria vazhdon ta mbrojë,” tha Shehaj.
Sipas tij, situata aktuale përbën një skandal madhor institucional dhe një rrezik të drejtpërdrejtë për çdo qytetar shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



