Shembje në fshatin Plan i Bardhë dhe në afërsi të tunelit të Murrizit
Rrezikohet bllokimi i qarkullimit
Problemet në Rrugën e Arbrit vijojnë të shtohen, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e drejtuesve të mjeteve dhe qëndrueshmërinë e këtij aksi të rëndësishëm. Vetëm pak ditë pas çarjes së raportuar në tunelin e Murrizit, dëmtime të tjera janë konstatuar në disa zona të rrugës.
Në fshatin Plan i Bardhë, në Bashkinë Klos, një segment i rrugës rrezikon të shembet për shkak të dëmtimeve të mëdha në pjesën e poshtme të saj. Sipas pamjeve të siguruara, dëmtimi shtrihet në një gjatësi rreth 100 metra lineare. Çarja e strukturës mbajtëse ka nisur të ndikojë edhe në asfalt, ku tashmë janë shfaqur shenjat e para të deformimit.
Në këtë zonë, toka është shembur së bashku me murin mbrojtës anësor, duke rrezikuar seriozisht stabilitetin e gjithë trupit të rrugës. Pavarësisht situatës së krijuar, mungon sinjalistika paralajmëruese për drejtuesit e automjeteve, çka e rrit rrezikun për aksidente.
Specialistët theksojnë se në disa segmente problematike të Rrugës së Arbrit do të ishte e domosdoshme ndërtimi i pilotëve mbështetës, pasi formacioni i tokës në këto zona rezulton i paqëndrueshëm dhe i prirur për rrëshqitje.
Një tjetër shembje është regjistruar edhe pranë tunelit të Murrizit, në zonën e fshatit Maricë të Tiranës. Edhe këtu skarpata e rrugës është çarë dhe ka pësuar shembje, duke rrezikuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve nëse situata përkeqësohet.
Probleme të tjera janë evidentuar edhe me deformimin e asfaltit, kryesisht në segmentin nga tunelet e fshatit Shkallë e Xibrit deri tek tuneli i Murrizit. Dëmtimet e vazhdueshme po e shndërrojnë këtë aks strategjik në një pikë shqetësimi të përhershme për udhëtarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



