Shën Lamja i Aluiznit – Njihuni me dënglat mediatike të drejtorit të Ramës
Në mediat shqiptare shkruhen shpesh budallallëqe, por kur shkruan Tan Lame fenomeni merr përmasa të paparashikueshme.
Artan Lame është drejtori i ALUIZNIT, njohur shkurt si Agjencia e Legalizimit. Nëpërmjet një shkrimi të paprecedentë në RevistaJava (Lame shkruan duke u paguar me honorare) ai ka vendosur të qajë hallet e punës së vetë në drejtorinë e legalizimeve.
Si kurrë ndonjëherë më parë, një drejtor, administrator publik, në shkrimin e publikuar në një media private, merret me një ish-punonjëse të larguar nga puna. Lame përshkruan rrethanat e largimit nga puna të punonjëses dhe reagimin e saj më pas në rrjetet sociale, për të dalë në fund te predikimi se mileti duhet të heqë dorë nga mllefi, nga inati nga energjitë negative.
Mes predikimeve të tij, ai përmend një punonjëse, Evgjeninë, e cila mesa duket ka nisur t’i hapë telashe duke publikuar të dhëna në profilin e saj në ‘Facebook’.
Rrëfen Lamja:
‘Zor të ketë mes jush ndonjë që e njeh Evgjeni M., alias Eva S. Ka qenë punonjëse e Aluiznit që prej vitit të largët 2012. Kur u ndërruan qeveritë ca ikën vetë se e dinin zullumin që kishin bërë, e ca të tjerë i hoqëm vetë. Javash-javash u përpoqëm të heqim veç ata që ishin të ngjyer. Evgjenia ishte e divorcuar, ndaj na ndërhyri për hallet që kish mbi kokë dhe e mbajtëm në punë.
Ajo pastaj vazhdoi vit pas viti të punonte në një prej drejtorive të ALUIZNI-t, derisa në janar 2017 kërkoi të shkëputej nga puna. I bënë letrat e shkëputjes, por drejtoria përkatëse i kërkoi që të dorëzonte me procesverbal dosjet që kishte në ngarkim. I jap rëndësi kësaj gjëje, pasi na ndodh shpesh që humbin dokumenta nga dosjet, me apo pa qëllim, duke na shkaktuar mjaft kokëcarje me qytetarët. Me vijnë e më thonë që Evgjenia s’pranon t’i shtrohet rregullit dhe drejtorja e vet i paskesh dhënë edhe vërejtje për këtë punë. Ndërhyj dhe e thërras vetë. Më vjen në zyrë dhe bëjmë “pazar”, unë do t’i hiqja vërejtjen, ajo do mbyllte dorëzimin me procesverbal. Iku dhe se pashë më.’
As nuk e ka problem drejtori i madh i ALUIZNIT që të tregojë që punonjësja e shtypit të vet merret me ‘Facebook’-un e ish-punonjësve për të gjurmuar ç’thonë lart e poshtë për të.
Tregon Lamja:
‘Kaloi ndonjë muaj kur s’ka ca ditë punonjësja e shtypit më sjell… postimet e Evgjenisë në “fb”. Pupupu ç’tu tregoj e ç’tu them, vrer e zi, e të qëna e të paqëna. Pa asnjë arsye, thjesht siç thonë italianët “inutile cativeria”. Shan, nxin, derdh fjalë plot ligësi jeshile…
Evgjenia kaloi gati 6 vjet në këtë vend pune. Ushqeu veten dhe familjen me këtë rrogë. Gëzoi, u mërzit, bëri shokë e miq, kaloi të mira e të liga, bëri punën e shtetit por bëri edhe ndere, mori falenderime dhe mirënjohje. Po ç’dreqin ke që pasi ikën, derdh vrer të zi mbi punën që të dha bukën, moj Evgjeni?!
Kjo është ajo që unë them që duhet të ndërrojmë ne shqipot. Hasetin, a inatin, a keqdashjen, a quajeni si të doni. Eshtë e paimagjinueshme se sa prodhimtare i paskëshim patur gjëndrat e vrerit ne ballkanasit, e ca më veçan ne arbërorët.’
Por Lame-‘shenjtori’ bëhet aq i keq, sa e krahason dashurinë e ish-punonjëses për mbesën e saj me ‘pjellën që e do edhe majmuni e dhia’. Vërtet Lame? Po sikur duhet të ‘ndërronim ne shqipot’? Ta linim mënjanë ‘inatin e hasetin’.
Në fund Lamja” konkludon:
‘O arnautët e mij, shoqërinë e mban më këmbë bashkë njerzillëku dhe dashuria, ndaj krishtërimi arriti edhe atje ku nuk arrinte dot as shpata. Secili prej nesh nuk i ka asfare të tijat ato ç’ka ngrumbullon me thonj e me sherr e me luftë. Toka, prona, firma, makina, aksione, shtëpi, investime, valutë, pishina, vila. Nuk i ka, sepse kur të vdesë, prapë vetëm dy metro dhè do të marrë. Madje edhe ato do ja japë njerzillëku i të gjallëve të mbetur, se po s’ja dhanë mbetet zbuluar dhe e hanë orlat e korbat.
Interesante, një drejtor publik që përdor grimcat e punës së tij në institucion për t’u shfaqur si profet moral-dhënës në media.
Duket sikur zotit Lame i janë mpleksur botët, i është ngatërruar roli si administrator, me nevojën për të predikuar me publicistikën në media.
Një gërshetim i çuditshëm mes drejtorit dhe profetit mediatik, ku predikuesi dhe drejtori bëhen një dhe ku mishela duket diçka e tipit: “Shën Lamja i Aluiznit”./Hashtag.al

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



