SHISH rrëzon akuzat e Berishës për përgjimin e Majkos në Kukës
Publik.al
Në mes të një debati të ndezur politik, Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) ka rrëzuar pretendimet e ish-kryeministrit Sali Berisha se Pandeli Majko është përgjuar ambiental gjatë një bisede në Kukës.
Ky zhvillim vjen në një moment kur Majko, ish-kryeministër socialist, u transferua për fushatë elektorale nga Kukësi në Tiranë, vendim që ngjalli reagime dhe akuzat e opozitës. Berisha deklaroi se SHISH kishte regjistruar një bisedë në një lokal në Kukës, ku sipas tij, Majko ishte i përfshirë në veprime të paligjshme elektorale.
Por përgjigja zyrtare e SHISH-it, mbërritur në Kuvend duket se hedh poshtë këtë pretendim. Në dokumentin e klasifikuar si “sekret”, thuhet qartë:
“Nuk kemi bërë dhe as nuk disponojmë ndonjë përgjim ambiental apo në forma të tjera ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Pandeli Majko. Ligji për SHISH e parashikon qartësisht mënyrën, formën dhe marrjen e lejeve përkatëse se kur dhe si përgjohet një deputet i parlamentit.”
Ky qëndrim i SHISH-it i jep fund debatit mbi ekzistencën e një përgjimi të tillë, duke hedhur poshtë akuzat e Sali Berishës si të pabazuara.
Majko nuk do të padisë Berishën për shpifje
Pas këtij zhvillimi, Pandeli Majko u tregua i rezervuar, duke mos konfirmuar dhe as mohuar drejtpërdrejt përgjigjen e SHISH. Megjithatë, ai theksoi se do të respektojë kërkesën e këtij institucioni për të mos ndarë detaje nga dokumenti sekret.
Në një intervistë të mëparshme, Majko kishte deklaruar se nuk kishte ndërmend të padiste Berishën për shpifje, duke e konsideruar këtë si një humbje kohe dhe burimesh financiare.
“Unë e kam parim. Nuk para bëj akuza për natyra të tilla. Nuk e kam bërë për asnjë gazetar apo politikan, pasi mendoj se nëse do të merresha me këtë, do të duhej shumë kohë dhe financim. Mendoj se çdo qytetar e ka shumë të qartë se unë nuk mund të shkoja në Kukës e të fitoja zgjedhjet duke shitur shtylla.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



