“Shkarkimet e kontrollorëve ajrorë, të paligjshme”- Zbulohet letra e sindikatave botërore: Në ‘Albcontrol’ u bë ‘gjueti shtrigash’
Kaosi në aeroportin “Nënë Tereza” në prill të vitit të kaluar pas bllokimit të fluturimeve ajrore u shoqërua me prangosjen e tre kontrollorëve shqiptarë të trafikut ajror për shkak të paaftësisë së tyre të përkohshme. Pas hetimit, ata u pezulluan nga puna duke mos mundur që të kthehen në pozicionet e mëparshme.
Nisur nga kjo situatë, dy sindikata europiane, përfshirë kreun e Sindikatës Europiane të Kontrollorëve Ajrorë, Volker Dick, i kanë dërguan një letër drejtorit të përgjithshëm të “Albcontrol”, z. Hantin Bonati, të cilit i kërkon rikthimin në punë të tre kontrollorëve, pasi sipas tij, është shkelur ligji. Ai merr në mbrojtje kontrollorët e “Albcontrol”-it që u pezulluan nga puna duke u futur në grevë për shkak të uljes së pagave.
Z. Dick e konsideron si një situatë të rëndë në të cilën ndodhen tre kontrollorët shqiptarë. “’Albcontrol’ i shkarkoi menjëherë ata kontrollorë të trafikut ajror, duke shpërfillur në mënyrë flagrante Rregulloren 2015/340, e cila çoi në burgosjen e tre kolegëve tanë dhe një proces penal. ‘Albcontrol’ më vonë deklaroi se kolegët tanë nuk u pushuan nga puna, por i pezulloi për të zgjatur gjyqet pa asnjë pagesë.
Gjykatësi i konstatoi të tre kolegët tanë të pafajshëm për akuzat. Në datën 31 dhjetor 2021, ‘Albcontrol’ njoftoi kolegët tanë se ata do të pushohen nga puna më 6 janar 2022. ATCEUC e sheh të tmerrshme faktin që ‘Albcontrol’ deklaron faktin që kontrollorët deklaruan paaftësinë e përkohshme të tyre si arsye të ndërprerjes së punësimit. ‘Albcontrol’ padyshim e sheh si shkelje të ligjit faktin që këta punonjës përmbushnin detyrimet e tyre sipas Rregullores së BE-së”, thuhet në letër.
LETRA E PLOTË
Bruksel, 3 janar 2022, drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian (EASA), Patric Ky i nderuar Z. Ky, Para së gjithash, ATCEUC dëshiron t’ju urojë një vit të ri dhe fat të mbarë në trajtimin e të gjitha problemeve të ndryshme me të cilat përballet aviacioni në Europë tani. Situata e rëndë në të cilën ndodhen kolegët tanë në Shqipëri është një nga ato probleme dhe ne dëshirojmë t’ju tërheqim vëmendjen për këtë. Siç u informua ATCEUC, EASA do të shkojë në Shqipëri për një vizitë inspektuese në vitin 2022.
Duke qenë se ‘Albcontrol’ ka deklaruar zyrtarisht dhe në mënyrë të përsëritur se ka zbatuar të gjitha rregulloret europiane dhe po u bindet atyre, përfshirë Rregulloren e Komisionit (BE) 2015/340, dëshirojmë t’ju ndërgjegjësojmë sa më poshtë: Sipas Rregullores 2015/340 ATCO.A.015, ushtrimi i privilegjeve të licencave dhe pamundësia e përkohshme: (…) b) Mbajtësit e licencës nuk do të ushtrojnë privilegjet e licencës së tyre kur kanë dyshime se janë në gjendje të ushtrojnë në mënyrë të sigurte privilegjet e licencës dhe në raste të tilla duhet të njoftojnë menjëherë ofruesin përkatës të shërbimit të lundrimit ajror për pamundësinë e përkohshme për të ushtruar privilegjet e licencës së tyre.
Dhe d) Ofruesit e shërbimeve të lundrimit ajror do të zhvillojnë dhe zbatojnë procedura objektive, transparente dhe jodiskriminuese për t’u mundësuar mbajtësve të licencës që deklarojnë paaftësi të përkohshme për të ushtruar privilegjet e licencës së tyre në përputhje me pikën (b), të deklarojnë paaftësinë e përkohshme të mbajtësit të licencës në përputhje me pikën (c), të menaxhojnë ndikimin operacional të rasteve të paaftësisë së përkohshme dhe të informojnë autoritetin kompetent siç përcaktohet në atë procedurë. Për më tepër, në ATCO.B.025 – Skema e Kompetencës së Njësisë thuhet se: (13) procedurat për deklarimin dhe menaxhimin e rasteve të pamundësisë së përkohshme për të ushtruar privilegjet e licencës, si dhe për informimin e autoritetit kompetent në përputhje me ATCO.A.015(d); do të krijohet nga ANSP duke pasur parasysh: (c) Kur vendosen procedurat e përmendura në pikën (a) (4) dhe (13), ofruesit e shërbimeve të lundrimit ajror duhet të sigurojnë që mekanizmat të zbatohen për të garantuar trajtim të drejtë të mbajtësve të licencës kur vlefshmëria e miratimeve të tyre nuk mund të zgjatet. Qëllimi përfundimtar i kësaj procedure është përcaktuar në ATCO.B.020
– Njësitë e Miratuara: (j) Nëse vlefshmëria e miratimit të njësisë skadon, mbajtësi i licencës do të përfundojë me sukses kursin e miratimit të njësisë në përputhje me kërkesat e përcaktuara në pjesën ATCO, nënpjesa D, seksioni 3, me qëllim që të rinovojë miratimin. ATCEUC është i sigurt se jeni të mirinformuar për rastin kur në prill 2021 disa kontrollorë shqiptarë të trafikut ajror kanë deklaruar paaftësinë e tyre të përkohshme sipas Rregullores 2015/ 340 ATCO.A.015.b. ‘Albcontrol’ i shkarkoi menjëherë ata kontrollorë të trafikut ajror, duke shpërfillur në mënyrë flagrante Rregulloren 2015/340, e cila çoi në burgosjen e tre kolegëve tanë dhe një proces penal.
‘Albcontrol’ më vonë deklaroi se kolegët tanë nuk u pushuan nga puna, por i pezulloi për të zgjatur gjyqet pa asnjë pagesë. Gjykatësi i konstatoi të tre kolegët tanë të pafajshëm për akuzat. Në datën 31 dhjetor 2021, ‘Albcontrol’ njoftoi kolegët tanë se ata do të pushohen nga puna më 6 janar 2022. ATCEUC e sheh të tmerrshme faktin që ‘Albcontrol’ deklaron faktin që kontrollorët deklaruan paaftësinë e Përkohshme të tyre si arsye të ndërprerjes së punësimit. Albcontrol padyshim e sheh si shkelje të ligjit faktin që këta punonjës përmbushnin detyrimet e tyre sipas Rregullores së BE-së 2015/340 ATCO.A.015 b. Për ATCEUC, e gjithë kjo tregon se ‘Albcontrol’, me vetëdije dhe vullnet, po injoron jo vetëm çdo dialog social dhe rregulloret e BE-së, por të drejtat bazë njerëzore dhe sociale të punëtorëve. Sjellja e ‘Albcontrol’, duke detyruar në fakt kontrollorët e trafikut ajror të punojnë kur ata kanë dyshime se mund të kryejnë me siguri detyrat e tyre, mund të rrezikojë sigurinë e aviacionit në Europë.
Jemi mjaft të sigurt që jeni të mirinformuar për atë që po ndodh në Shqipëri dhe shpresojmë që EASA të gjejë masat e duhura për të ndihmuar ‘Albcontrol’ të respektojë rregulloret europiane. ATCEUC është në dispozicion për çdo ndihmë që mund të dëshironi të keni nga ne.
Volker Dick, presidenti ATCEUC CC,
drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Lëvizshmërinë dhe Transportin e Komisionit Europian:
Henrik Hololei CC, drejtorit të përgjithshëm të EUROCONTROL:
Eamonn Brennan CC, drejtorit të Drejtorisë së Menaxhimit të Rrjetit të EUROCONTROL: Iacopo Prissinotti CC, drejtorit të ‘Albcontrol’, Hantin Bonati.

ATCEUC e IFATCA: Kontrollorët zbatuan standardet
Unioni Europian i Kontrollorëve, ATCEUC dhe IFATCA, pasi janë njoftuar për përfundimin e pezullimit dhe rivendosjen e të gjitha të drejtave që burojnë nga marrëdhënia e punës së Flora Ndreca, Armando Fezgës dhe Muhin Mezinit, në një letër drejtuar drejtorit të “AlbControl”, kërkojnë rikthimin e tyre në punë. ATCEUC dhe IFATCA nënvizojmë Rregulloren e BEsë 2017/373. “Albcontrol” ka njoftuar tre ATCO-të se do të nisë procedurën për përfundimin e menjëhershëm të marrëdhënies së punës në “Albcontrol sh.a.” në datën 31 dhjetor 2021. “Arsyet e këtyre vendimeve si dhe mundësia për të paraqitur pretendimet e tyre përkatëse do të jepen në një mbledhje të caktuar në datën 6 janar 2022.
‘Albcontrol sh.a.’ ka shkelur në një periudhë të shkurtër kohore të gjitha standardet dhe rekomandimet ndërkombëtare dhe ka shkelur Rregulloren e Zbatimit të ATCO të BE-së (IR) duke punësuar ATCO të huaj, të patrajnuar dhe të pakualifikuar në vend për të kontrolluar Kullën Tiranë dhe ka planifikuar të bëjë të njëjtën gjë me pozicionet e Kontrollit të Zonës. Me këtë, drejtimi i ‘Albcontrol’ rrezikoi sigurinë e publikut që udhëton”, thuhet në letër. Sipas ATCEUC dhe IFATCA, “fatmirësisht asnjë ngjarje katastrofike nuk ka ndodhur gjatë kësaj periudhe të shkurtër kohore”. Në letër përmendet se: “ATCO-të u futën në burg për respektimin e rregulloreve të BE-së dhe ‘Albcontrol sh.a.’ i ka dënuar duke i pezulluar. Kjo është në kundërshtim me disa nga konventat themelore të ILO-s që Shqipëria ka nënshkruar dhe kundër të gjitha praktikave europiane.
Duke injoruar në mënyrë aktive standardet ndërkombëtare, duke mos respektuar rregullat e BEsë dhe rregullat e EASA-s, ‘Albcontrol sh.a.’ ka ulur qëllimisht standardet e sigurisë të miratuara ndërkombëtarisht dhe organizon tani një ‘gjueti shtrigash’ kundër anëtarëve të vet shumë të trajnuar, të aftë dhe të vlefshëm të fuqisë së saj punëtore”. Sipas tyre: “Ndërprerja e marrëdhënieve të punës për të tre ATCOS, të cilët kanë ndjekur standardet dhe rregulloret ndërkombëtare, do të hidhte një dritë shumë të keqe mbi integritetin e Ofruesit të Shërbimit të Lundrimit Ajror të Shqipërisë. Duke pezulluar ATCO-të pa asnjë shpërblim gjatë procesit penal, sipas mendimit tonë, organizata juaj tashmë i ka ndëshkuar në mënyrë të paligjshme”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



