SHKODER/“Iku gjysma e sezonit turistik”, pronarët e motorëve të ujit: S’na lejojnë daljen në det
Pronarët e mjeteve lundruese në Velipojë kanë protestuar dje, pasi kur thuajse gjysma e sezonit turistik ka kaluar, ata ende nuk lejohen që të dalin në det me to. Sipas tyre, edhe pse tashmë jemi në muajin korrik, Policia Kufitare nuk i lë që të punojnë. Ata thonë se janë taksapagues të rregullt dhe se kanë shlyer çdo detyrim të mundshëm. Pavarësisht se shteti u ka marrë paratë e detyrimeve, nga ana tjetër ata nuk lejohen që t’i nxjerrin motorët në det, për ata pushues që duan të shëtisin kundrejt pagesës.

Ka 32 ditë që i lutemi që të na lejojnë që të punojmë dhe nuk na e japin këtë leje. Policia ia lë fajin bashkisë sepse këta të fundit nuk kanë bërë kufizimin në det se ku duhet të lëvizin motorët e ujit. Kufizimin ujor nuk mund ta bëjmë ne. I bëjmë lutje Bashkisë Shkodër dhe Policisë Kufitare që të na lejojnë të punojmë. Kemi komplet dokumentacionin e rregullt dhe kemi disa vite që punojmë me këtë punë, duke mbajtur familjet tona. Punë tjetër s’kemi”, thotë Frroku. Një tjetër protestues, Nedrit Krruqi, shprehet se që më 1 qershor pretendohet se është hapur zyrtarisht sezoni turistik në Velipojë, ndërsa ata nuk po lejohen që të punojmë.
Protestuesi Krruqi ka niptin e hapur dhe krejt detyrimet e paguara, ndërsa një muaj i ka shkuar dëm. Ai thotë se mbetet shumë pak kohë për të punuar, duke i sjellë një dëm të madh ekonomik. “Kërkojmë një zgjidhje, sepse nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë. Ne jemi të rregullt dhe s’kemi pse të penalizohemi”, deklaron Krruqi. Protestuesi tjetër, Besim Shima, shprehet se nuk di se nga të shkojë sepse i ka provuar të gjitha mënyrat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



