Shkresa e Artan Lames zbuloi vjedhjen e tokave në Durrës
Një shkresë e firmosur në prill të vitit 2022 nga ish-drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, rezulton të ketë qenë pikënisja e hetimit që zbuloi skemën e dyshuar të tjetërsimit të pronave shtetërore në zonën e ish-NB Frutore, në bregdetin e Durrësit.
Sipas dokumentit, ASHK kërkonte një hetim të thelluar pasi gjatë verifikimeve kishte konstatuar se një pronë me sipërfaqe 27.550 metra katrorë rezultonte e regjistruar në emër privat, ndërsa në regjistrat zyrtarë të fotografuar në vitin 2017 e njëjta pasuri figuron pronë shtetërore.
Shkresa evidentonte se kartela e pronës ishte ndryshuar jashtë rendit kronologjik të regjistrimeve, duke ngritur dyshime për ndërhyrje të paligjshme në sistemin kadastral. Për këtë arsye, ASHK vendosi kufizim mbi pasurinë dhe kërkoi verifikim të plotë të dokumentacionit, duke lënë të hapur edhe mundësinë e referimit penal pranë Prokurorisë së Durrësit.
Hetimet që pasuan për disa vite kanë çuar tashmë në një operacion të Prokurorisë, ku janë caktuar 12 masa sigurie ndaj ish-funksionarëve të Hipotekës së Durrësit dhe personave të tjerë të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe tjetërsim të pronave shtetërore në zonën bregdetare.
Dosja konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme mbi abuzimet me regjistrat kadastralë, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet për të identifikuar të gjitha pronat që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme përmes falsifikimit të dokumentacionit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



