E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shkrihen IMT e Bashkive, ja çfarë do të ndodhë me punonjësit
Lajme

Shkrihen IMT e Bashkive, ja çfarë do të ndodhë me punonjësit

Ministria e Punëve të Brendshme ka përgatitur një projektligj për ndryshimin e ligjit nr. 9780 “Për inspektimin e territorit”, nën firmën e ministres Albana Koçiu. Synimi kryesor është t’i japë fund ndarjes së kompetencave mes Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe inspektorateve vendore pranë bashkive, duke krijuar një autoritet të vetëm kontrolli.

Sipas projektligjit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të riorganizohet dhe do të quhet Inspektorati Qendror i Territorit, Mjedisit dhe Pyjeve. Struktura e re parashikon drejtori rajonale dhe zyra vendore në të gjithë vendin, por me varësi të drejtpërdrejtë nga qendra.

Relacioni shpjegon se sistemi aktual me dy nivele ka dështuar në disa pika:

“Ka pasur mospërputhje praktikash dhe mungesë uniformiteti në zbatimin e ligjit. Fenomeni i ndërtimeve pa leje ka vijuar për shkak të kontrollit jo-efektiv në nivel vendor. Struktura e re synon të jetë më e pavarur dhe e mbrojtur nga ndikimet e jashtme lokale.”

Risitë kryesore të projektligjit:

  • Inspektorati i ri nuk do të merret vetëm me ndërtimet, por edhe me mjedisin dhe administrimin e pyjeve.

  • Për herë të parë do të integrohet bashkëpunimi me Prefektin Detar, përgjegjës për kontrollin e territorit në zonat bregdetare dhe detare.

  • Inspektimet do të kryhen nga grupe prej të paktën tre inspektorësh, duke rritur llogaridhënien.

  • Ankimet ndaj gjobave apo vendimeve do të shqyrtohen fillimisht nga Komisioni i Shqyrtimit të Ankimit pranë Inspektoratit të Përgjithshëm dhe më pas mund të shkojnë në gjykatë.

Kostot dhe personeli

Projektligji nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Punonjësit aktualë të inspektorateve vendore do të kalojnë në strukturën e re rajonale, me numër të përafërt personeli, por me një organizim hierarkik më të strukturuar.

Efektet e pritshme:

  • Rritja e efektivitetit të kontrollit të territorit dhe ulja e ndërtimeve të kundërligjshme përmes një strukture të unifikuar dhe të specializuar.

  • Standardizim i praktikave inspektuese në të gjithë territorin, me mekanizma të qartë koordinimi dhe aftësi për marrjen e masave të shpejta.

  • Krijimi i strukturave të qëndrueshme në nivel qendror dhe rajonal, me personel të trajnuar profesionalisht dhe përdorim optimal të burimeve njerëzore dhe financiare.

  • Forcim i koordinimit mes nivelit qendror dhe rajonal, duke eliminuar fragmentimin institucional dhe duke rritur koherencën e veprimtarisë inspektuese.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.