Shoferi i autobusit me nxënës kapet i dehur në timon
Rrezikohen 13 të rinjtë
Një ngjarje shqetësuese është regjistruar këtë të martë në zonën e Belsh, ku një drejtues mjeti që transportonte nxënës është ndaluar nga policia pasi rezultoi në gjendje të dehur.
Sipas të dhënave zyrtare, ndërhyrja e policisë erdhi pas një telefonate të një qytetari në sallën operative të Cërrik. Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë së Belshit, në bashkëpunim me patrullën e komisariatit të Cërrikut, organizuan një kontroll në terren.
Gjatë operacionit u ndalua një mjet tip “Benz Sprinter”, që qarkullonte në aksin Belsh–Gjolene. Në timon ishte shtetasi Sazan Jashar Gjolena, 53 vjeç, i cili po transportonte 13 nxënës të gjimnazit Sami Frashëri.
Pas testimit me alkoolmatës, drejtuesi rezultoi pozitiv në të dyja provat, me nivele 0.68 mg/l dhe 0.67 mg/l, duke konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur gjatë drejtimit të mjetit.
Menjëherë pas konstatimit, ai u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa uniformat blu morën masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e nxënësve, duke organizuar transport alternativ për ta.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të tregojnë përgjegjësi maksimale, veçanërisht kur transportojnë fëmijë, duke theksuar se raste të tilla përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë rrugore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



