“Sulm i drejtpërdrejtë dhe tentativë për të mbytur fjalën e lirë, me heshtje me frikë”
Një reagim i fortë ka ardhur nga Shoqata “Media dhe Drejtësi”, pas kërcënimit të bërë ndaj pronarit dhe drejtuesit të “Publik Media”, Naim Noka. Përmes një deklarate publike të shpërndarë nga avokati Arben Llangozi, ky akt cilësohet si i rëndë dhe i papranueshëm, duke e konsideruar një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe fjalës së lirë në vend.
Sipas deklaratës, çdo kërcënim ndaj një gazetari për shkak të detyrës dhe publikimeve të tij përbën një goditje ndaj rendit demokratik dhe parimeve të shtetit të së drejtës. Shoqata thekson se rasti i Naim Nokës lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë e tij mediatike dhe publikimet në interes të publikut.
Në reagim nënvizohet se akte të tilla synojnë të krijojnë klimë frike dhe të imponojnë heshtje ndaj gazetarëve, duke dërguar një mesazh kërcënues për të gjithë mediat dhe redaksitë që raportojnë në mënyrë të pavarur.
Shoqata “Media dhe Drejtësi” e konsideron këtë ngjarje një alarm serioz për klimën e gazetarisë në vend, duke paralajmëruar se nuk mund të ketë media të lirë në kushte presioni dhe intimidimi. Po ashtu, shprehet solidaritet i plotë me Naim Nokën dhe me çdo gazetar që përballet me kërcënime për shkak të profesionit.
Në fund, i bëhet thirrje Policia e Shtetit, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera që të reagojnë me prioritet maksimal për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke theksuar se çdo neglizhencë do të dërgonte një mesazh të rrezikshëm për lirinë e medias.
Reagimi i plotë:
Shoqata “Media dhe Drejtësi” dënon me forcën më të madhe, në mënyrë të prerë dhe pa asnjë ekuivok, kërcënimin e bërë ndaj pronarit dhe drejtuesit të “Publik Media”, zotit Naim Noka. Ky akt është i rëndë, i papranueshëm dhe përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj një gazetari dhe drejtuesi media, por ndaj vetë lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar në mënyrë të lirë, të paanshme dhe të pavarur.
Çdo kërcënim ndaj një gazetari për shkak të detyrës, publikimeve apo qëndrimeve të tij profesionale është një goditje e hapur ndaj rendit demokratik dhe ndaj parimeve themelore mbi të cilat duhet të funksionojë një shtet i së drejtës.
Sipas vlerësimit tonë, kërcënimi ndaj zotit Naim Noka lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë e tij mediatike, me publikimet e tij korrekte, profesionale dhe në interes të publikut. Pikërisht për këtë arsye, ky akt merr një peshë edhe më të rëndë, sepse synon të krijojë frikë, të ushtrojë presion dhe të imponojë heshtje ndaj atyre që kanë për detyrë të informojnë qytetarët.
Këto forma intimidimi nuk prekin vetëm personin që është vënë në shënjestër, por dërgojnë një mesazh kërcënues për të gjithë gazetarët, redaksitë dhe mediat që guxojnë të raportojnë me përgjegjësi, me ndershmëri dhe pa nënshtrim.
Shoqata “Media dhe Drejtësi” e konsideron këtë ngjarje si një alarm serioz për klimën në të cilën ushtrohet gazetaria në vend. Nuk mund të ketë media të lirë atje ku gazetarët dhe drejtuesit e saj përballen me kërcënime për shkak të punës së tyre. Nuk mund të ketë demokraci funksionale atje ku fjala e lirë tentohet të mbytet me presion, frikë apo intimidim. Sulme të tilla cenojnë rëndë standardet demokratike, dobësojnë besimin tek institucionet dhe krijojnë një realitet të rrezikshëm ku e vërteta vihet nën presion dhe interesi publik sakrifikohet përballë frikës.
Në këtë kuadër, Shoqata “Media dhe Drejtësi” shpreh solidaritetin e saj të plotë, të hapur dhe të palëkundur me zotin Naim Noka, si dhe me çdo gazetar, redaksi apo drejtues media që përballet me kërcënime, shantazh, presione apo forma të tjera intimidimi për shkak të punës së tij. Mbrojtja e gazetarëve dhe garantimi i sigurisë së tyre nuk është çështje favori, por është detyrim i drejtpërdrejtë i shtetit dhe kusht themelor për ekzistencën e një shoqërie të lirë dhe demokratike.
I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe të gjitha organeve kompetente që të reagojnë menjëherë, me seriozitet maksimal dhe me prioritet të plotë, për të identifikuar autorët, për të zbardhur rrethanat e plota të këtij kërcënimi dhe për t’i vënë përgjegjësit përpara ligjit. Çdo vonesë, çdo neglizhencë, çdo trajtim formal apo çdo mosveprim institucional në raste të tilla është i papranueshëm dhe dërgon mesazhin më të gabuar të mundshëm: se gazetarët mund të kërcënohen pa pasoja dhe se liria e medias mund të cenohet pa përgjegjësi. Kjo nuk duhet dhe nuk mund të tolerohet.
Po ashtu, kërkojmë nga institucionet shtetërore, aktorët publikë dhe çdo autoritet përgjegjës që të garantojnë kushte reale sigurie për ushtrimin e profesionit të gazetarit, të respektojnë plotësisht lirinë e medias dhe të mbajnë qëndrim të qartë e të prerë ndaj çdo forme kërcënimi apo presioni kundër saj. Liria e medias nuk është vetëm një parim abstrakt; ajo është garanci konkrete për transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtje të interesit publik. Kur kërcënohet një gazetar, në thelb kërcënohet e drejta e shoqërisë për të ditur të vërtetën.
Shoqata “Media dhe Drejtësi” deklaron se do ta ndjekë nga afër këtë rast dhe do të reagojë me vendosmëri ndaj çdo akti që cenon lirinë e shprehjes, lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në vend. Askush nuk duhet të mendojë se mund të imponojë heshtje përmes frikës. Askush nuk duhet të besojë se mund të godasë median e lirë dhe të mbetet pa përgjegjësi. Fjala e lirë nuk frikësohet, media e pavarur nuk nënshtrohet dhe gazetarët nuk duhet të lihen vetëm përballë kërcënimeve.







