Shpallet në kërkim ‘Stresi’
Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim reperin Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi, pas protestës së zhvilluar pasditen e djeshme në kryeqytet, e cila vazhdoi deri në mbrëmje.
Deri tani janë arrestuar si pjesëmarrës në protestë 3 persona, ndërsa 4 të tjerë janë proceduar penalisht pasi kanë qenë të mitur. Protesta ka regjistuar përplasje të herëpashershme mes Policisë dhe protestuesve të cilët kërkonin drejtësi për vrasjen e Klodian Rashës dhe dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj.
Ndërkohë, dy të rinj të tjerë janë proceduar nga Policia në Durrës pasi kishin dalë të protestonin në qytetin bregdetar.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, shtetasit A. B., 30 vjeç dhe Sh. M., 26 vjeç, banues në Durrës. Më datë 09.12.2020, rreth orës 17:00, këta shtetas kanë organizuar një grumbullim me rreth 40 persona, pa lejen e organeve kompetente”, njofton Policia e Durrësit
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



