E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shpërndanin drogë pran shkollave, 17 persona në pranga
Lajme

Shpërndanin drogë pran shkollave, 17 persona në pranga

Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar në qarkun e Durrësit ka çuar në goditjen e një rrjeti të strukturuar që shpërndante lëndë narkotike në zonat më të ndjeshme, kryesisht pranë institucioneve arsimore dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë.

Aksioni policor, i koduar “Cleaning 5”, është finalizuar pas disa muajsh hetime intensive, të zhvilluara në kuadër të dy procedimeve penale të ndara. Qëllimi kryesor i këtij operacioni ishte identifikimi dhe neutralizimi i personave të përfshirë në shpërndarjen e drogës në afërsi të shkollave, një fenomen që konsiderohet me rrezik të lartë shoqëror.

Si rezultat i ndërhyrjes së koordinuar nga strukturat e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me forcat operacionale dhe njësitë “Shqiponja”, janë ekzekutuar masa sigurie për 17 shtetas. Prej tyre, 13 persona janë vendosur në arrest me burg, ndërsa 4 të tjerë janë lënë në arrest shtëpie. Një tjetër person është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Të dyshuarit, banues në zona të ndryshme si Durrësi, Kavaja, Shijaku dhe disa njësi administrative përreth, akuzohen për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, të kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur.

Sipas të dhënave hetimore, grupi siguronte lëndë narkotike të llojeve të ndryshme dhe i shpërndante ato kryesisht pranë shkollave në zonat e Shijakut dhe Manzës, si dhe në ambiente të tjera ku ka prani të lartë të të rinjve.

Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme heroine, kokaine dhe kanabisi, si dhe tre armë zjarri, përfshirë dy pistoleta dhe një armë automatike. Po ashtu, autoritetet kanë konfiskuar shuma të mëdha parash, automjete dhe pajisje komunikimi që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.

Hetimet për këtë rast janë zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me strukturat e tjera policore vendore, ndërsa operacioni është realizuar nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.

Materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për vijimin e veprimeve ligjore dhe për thellimin e hetimeve ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.