‘Shpërthen’ Dash Sula: Berishës s’i falen Piramidat, Gërdeci dhe 21 janari
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dash Sula, deklaroi se Sali Berisha “nuk ka ikur asnjëherë nga PD”, duke nënvizuar se figura e tij vazhdon të dominojë të djathtën prej 35 vitesh.
Sula theksoi se demokratët nuk i kanë falur Berishës ngjarjet e rënda të së kaluarës, si Piramidat e ’97-s, Gërdecin dhe 21 janarin, ndërsa shtoi se “pa ikur Berisha, Rama mund të flejë gjumë”.
Duke analizuar periudhën kur Partia Demokratike drejtohej nga Lulzim Basha, Sula tha se ishte ndër të parët që kuptoi se “Basha ishte i shitur”.
“Sali Berisha nuk ka ikur nga PD në 2013. Basha ka qenë thjesht një CEO dhe pronari ka qenë Berisha. Berisha nuk ka ikur kurrë nga PD; ka 35 vjet që dominon të djathtën,” u shpreh Sula. Ai shtoi se, ndonëse Partia Socialiste ka një nivel më të lartë korrupsioni, demokratët vazhdojnë të mbartin barrën e ngjarjeve të rënda historike.
“Unë kuptova që Basha është i shitur. Kur u shkëput nga Berisha, tha se kishte mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe ne e besuam. Por Basha fjeti gjumë kur ne i thoshim të dilte në terren. Politika matet me veprime dhe rezultate. 6 marsi provoi që ai kishte humbur anëtarësinë dhe partinë. Partia nuk është te godina,” tha Sula në emisionin “Real Story”.
Sipas Sulës, momenti kur “u thyen premtimet e foltores” ishte pika që çoi në degjenerim të mëtejshëm të situatës në PD:
“Qëkur u thyen premtimet e foltores, nisën vjedhjet. Pa ikur Berisha, Rama të flejë gjumë!”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



