Shpërthimi i Covid në QSUT, shefi i Kirurgjisë: Ja si mund të jetë përhapur virusi në spital
Ditët e fundit ka një shpërthim të rasteve me Covid në QSUT, e cila tashmë është vatra më e re në kryeqytet.
Ditën e djeshme janë konfirmuar 26 raste të reja me Covid dhe nga këto 12 janë personel shëndetësor në QSUT, të cilët u tha se janë infektuar nga një infermiere e prekur nga virusi.
Shefi i kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata, në një prononsim për A2 rrëzoi kategorikisht pretendimet se infermierja është rikthyer në punë edhe pasi kishte marrë përgjigjen e analizave ku kishte rezultuar pozitive me Covid-19. Ai tha se virusi mund të jetë përhapur nga një paciente e shtruar që kishte shumë probleme.
“Nuk është e vërtetë që infermierja është kthyer në punë pas analizave. Infermierja mund të jetë prekur në pavion. Para dy javësh, në pavionin ku janë pacientët në gjendje të rëndë, ka qenë një paciente e shtruar me shumë probleme dhe pasi u stabilizua u largua në shtëpi. Disa ditë pasi doli nga spitali, pati temperaturë dhe pas tamponit rezultoi pozitive. Ka shumë mundësi që infermierja dhe një pjesë tjetër e stafit mjekësor mund ta kenë marrë virusin nga kjo paciente, por nuk mund ta themi me siguri.
Infermierja pasi bëri tamponin shkoi dhe bëri edhe te ORL-ja, ku ka bërë një vizitë pasi kishte dhimbje fyti. Në darkë, ajo rezultoi pozitive dhe nga ai moment, ajo nuk është rikthyer më në punë, madje është shtruar në Infektiv. Tamponi iu mor të gjithë personelit mjekësor të atij shërbimi. Nga ana tjetër, duke qenë të sëmurë rëndë bëhen konsulta brenda shërbimit edhe nga mjekë të shërbimeve të tjera”, tha ai.
Më tej ai deklaron se virusi në QSUT mund të jetë përhapur për faktin se ka pacientë nga e gjithë Shqipëria dhe rreziku është më i lartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



