Shqipëria është ‘hambari’ i hashashit, lë pas edhe Meksikën
Shqipëria vijon të jetë një “bahçe” e madhe e kultivimit të kanabisit. Ky është përfundimi i një raporti të OKB-së, që e rendit vendin tonë mes shteteve me më shumë sasi kanabisi në harkun e një viti. Zyra kundër drogave dhe krimeve në Kombet e Bashkuara ka publikuar shifrat e kultivimit të kanabisit, prodhimit dhe asgjësimit për periudhën 2013-2021.
Vendi ynë raportohet të ketë prodhuar plot 3601 ton bar kanabis dhe 2 ton koncentrat kanabisi. Ky është niveli më i lartë i kanabisit të prodhuar që nga viti 2016, kur u asgjësua një rekord prej 2.5 milionë bimësh kanabisi. Në këto nivele që jemi aktualisht, Shqipëria prodhon më shumë kanabis edhe se Meksika.
Në vitin 2018, kur është regjistruar edhe raporti i fundit, Meksika kishte prodhuar 2,726 ton kanabis (shiko tabelat në fund). Nivelin më të lartë e ka Maroku, me mbi 20 mijë ton në vit.
3.6 ton kanabis të prodhuar në Shqipëri e ka vlerën e tregut në rreth 13 milionë euro, sipas një përllogaritjeje të përafërt, duke u bazuar në çmimin e tregut. Në raportin e kryer në vitin e shkuar, Shqipëria renditej e shtata në botë për kultivimin dhe transportin e kanabisit.
Sipas raportit vjetor të drogave, hashashi vazhdon të jetë droga më e përdorur në botë, me rreth 219 milionë përdorues (4.3 për qind e popullsisë së rritur globale) në vitin 2021. Përdorimi i drogës po rritet dhe megjithëse globalisht përdoruesit e kanabisit janë kryesisht meshkuj (rreth 70 për qind), ndarja gjinore po zvogëlohet. Për shembull, gratë përbëjnë 42 për qind të përdoruesve të kanabisit në Amerikën e Veriut.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



