Shqipëria fitoi 4.1 miliardë euro nga turizmi vitin e kaluar, thotë Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë deklaroi se ekonomia shqiptare përfitoi 4.1 miliardë euro të ardhura nga udhëtimet gjatë vitit të kaluar. Shifra, e cila përbën rekordin historik është rritur me 45 për qind krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2022, të ardhurat nga sektori i udhëtimeve, të cilat janë treguesi më i afërt i përfitimeve nga turizmi ishin 2.8 miliardë euro.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, turizmi tashmë është eksporti më i madh i Shqipërisë dhe burimi kryesor i valutës që hyn në vend. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit të kaluar sektori i turizmit i la ekonomisë shqiptare një sufiçit valutor neto prej 1.8 miliardë eurosh. Kjo shifër është diferenca mes të ardhurave që të huajt shpenzojnë për turizëm në Shqipëri dhe shpenzimeve që shqiptarët bëjnë në udhëtimet e tyre jashtë shtetit. Sipas BSH, gjatë vitit 2023 shqiptarët shpenzuan 2.3 miliardë për udhëtime dhe turizëm jashtë Shqipërisë.

Rritja e turizmit, sipas bilancit të pagesave është arsyeja kryesore që po ul defiçitin e llogarisë korrente të vendit duke e çuar llogarinë korrente gati në ekuilibër neutral. Vitin e kaluar defiçiti korrent i vendit, treguesi që mat diferencën mes valutës që del nga Shqipëria dhe asaj që hyn në vend rezultoi vetëm 190 milionë euro ose më pak se 0.8 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.

Kjo është shifra më e ulët historike e defiçit korrent që nga rënia e sistemit komunist dhe sipas BSH është arsyeja e forcimit të lekut ndaj euros.

Publikuar nga Publik Media