Shqipëria në mes të një epidemie gripi: Mbi 17 mijë raste në një javë
Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në një epidemi gripi, me mbi 17 mijë raste infeksionesh respiratore të raportuara vetëm gjatë javës së fundit. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 11% krahasuar me javën e dytë të janarit. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se numrat e vërtetë mund të jenë edhe më të lartë, pasi shumë pacientë nuk i drejtohen qendrave shëndetësore apo mjekëve të familjes.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), kurba e infektimeve vazhdon të rritet, ndërsa në qarkullim janë shtame të gripit të tipit A H1N1 dhe B, që kanë sjellë një përhapje të gjerë të infeksioneve respiratore.
Ekspertët: Një situatë alarmante
Eksperti i Shëndetit Publik në Londër, Leidon Shapo, në një lidhje për emisionin “Kafe Shqeto”, deklaroi se aktualisht Shqipëria po përjeton një dyfishim të rasteve, shumica prej të cilave trajtohen në shtëpi me forma të lehta ose të mesme.
“Numrat janë të rëndësishëm, sepse na tregojnë një panoramë të situatës. Edhe pse një epidemi përcaktohet jo vetëm nga numrat, por nga përhapja dhe shtami qarkullues, mund të themi se kjo është një epidemi në zhvillim,” tha Shapo.
Ai theksoi se përhapja e shtameve si H1N1 dhe H3N2, të cilat pësojnë ndryshime gjenetike çdo vit, e bën situatën më të vështirë. Sipas tij, ndërhyrjet si vaksinat sezonale ndihmojnë, por nuk ofrojnë mbrojtje të plotë për shkak të mutacioneve të virusit.
Situata në terren dhe sfidat e sistemit shëndetësor
Sipas të dhënave të ISHP, rastet e raportuara vijnë nga 14 qendra shëndetësore, por ekspertët paralajmërojnë se kjo përfaqëson vetëm një pjesë të situatës së përgjithshme.
“Përhapja masive e infeksioneve kërkon masa të menjëhershme parandaluese dhe informim të popullatës,” deklaroi një përfaqësues i ISHP. Aktualisht, qendrat shëndetësore raportojnë fluks të lartë pacientësh, ndërsa shumë të tjerë po zgjedhin trajtimin në shtëpi për të shmangur mbingarkesën e spitaleve.
Çfarë duhet të bëjnë qytetarët?
Mjekët dhe ekspertët e shëndetit publik apelojnë që qytetarët të respektojnë masat parandaluese, duke përfshirë:
•Shmangien e grumbullimeve në ambiente të mbyllura.
•Mbajtjen e higjienës personale, si larjen e shpeshtë të duarve.
•Vaksinimin për ata që janë më të rrezikuar, si të moshuarit dhe individët me sëmundje kronike.
Kjo situatë e rëndë është një tjetër provë për kapacitetet e sistemit shëndetësor shqiptar, i cili përballet me sfidën e menaxhimit të një epidemie gripi që duket se do të zgjasë për javë të tëra.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



