E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria PRO!
Lajme

Shqipëria PRO!

Pse egocentrizmi i Gen-Z po kryen ri-themelimin që ne e dështuam

Në dhjetorin e egër të viteve ’90, lindi opozita e parë jo-komuniste, besonim se po përmbysnim një botë. Vite më vonë, kur u bëmë gardh kundër 1,600 tonëve armë kimike, besonim se po mbronim një dinjitet. Sot, teksa shoh tim bir 21-vjeçar që zbret në shesh kundër betonizmit strategjik të bregdetit, kuptoj diçka më të thellë. Kjo që po jetojmë nuk është thjesht një protestë tjetër radhe në kronikat tona të lodhura.

Është akti i parë i mirëfilltë europian i Shqipërisë në 35 vite tranzicion. Dhe vjen nga një brez që nuk na ngjan në asgjë. Fatmirësisht.

Përmbysja e paradigmës: Nga “Kundër” në “Pro”

Ne kemi qenë gjithmonë një popull reaktiv. Kemi protestuar “kundër” diktaturës, “kundër” qeverisë, “kundër” varfërisë, “kundër” tjetrit.

Kemi rrëzuar mure, por rrallë kemi mbjellë diçka në gërmadhat e tyre. Ky brez po bën saktësisht të kundërtën: po u mëson shqiptarëve një gjuhë të panjohur politike. Gjuhën e të qenit PRO.

Duke pohuar me forcë vlerat e tyre, ata, pa pasur nevojë për britma histerike, po e nxjerrin jashtë loje kalbësirën e sistemit.

Kodi i tyre gjenetik politik është krejtësisht i ndryshëm nga i joni:

Janë PRO Natyrës, jo kundër zhvillimit. Nuk vuajnë nga kompleksi i luddizmit apo refuzimi i modernitetit; thjesht refuzojnë që “zhvillimi” të jetë eufemizëm për shkatërrimin ekologjik dhe grabitjen e pronës publike.

Janë PRO Transparencës dhe Sundimit të Ligjit. Dhe kjo automatikisht i shndërron në armiq natyrorë të autoritarizmit dhe vendimmarrjeve sekrete të klaneve politike.

Janë PRO të Vërtetës. Kanë një lloj imuniteti të lindur ndaj retorikës klasike ballkanike që ushqehet me gjysmë-të-vërteta dhe iluzione elektorale.

Janë PRO Drejtësisë Sociale. Nuk e shohin shtetin si një korporatë private për shpërndarje koncesionesh, por hapësirën publike si një të drejtë të patjetërsueshme aksesueshmërie.

Janë PRO lirisë për të qenë të ndryshëm, por të barabartë. Kjo i bën ata imunë ndaj makinerive të homogjenizimit elektoral. Për këtë brez, koncepti i “patronazhistit” nuk është thjesht fyes, është thjesht qesharak, një anakronizëm që nuk gjen dot vend në kodin e tyre të lirisë.

Dhe mbi të gjitha, në mënyrën më estetike të mundshme: Ata janë PRO vetes së tyre.
Egocentrizmi si mburojë kombëtare

Shpesh e kemi paragjykuar Gen-Z si brezin e ekranit, të ftohtë, të shkëputur, egocentrikë. Por në kontekstin tonë socio-politik, ky “egocentrizëm” i shoqëruar me një hare thuajse arrogante po kthehet në mburojën më të mirë të këtij vendi.

Këta të rinj nuk po bëjnë sakrificën e dëshmorit klasik ballkanik. Ata po kërkojnë aktin e ligjshëm të trashëgimisë mbi vendin ku kanë lindur. Ata e duan Shqipërinë jo si një sllogan patriotik, por si habitatin e tyre të jetës. Dhe duan ta marrin në dorëzim duke e përmirësuar.

Nëse ne dështuam ta ri-themelonim kombësinë jashtë kornizave të partitokracisë, ata po e bëjnë këtë përmes një gëzimi radikal dhe një vetëbesimi të hekurt.

Fundi i “Fisit Partiak”

Ajo që po shohim në sheshe është një thyerje e thellë antropologjike. Shqipëria ka vuajtur historikisht nga kulti i “Kryetarit” – qoftë ky kryetari i fisit biologjik, apo kryetari i fisit partiak. Sistemi ynë politik ka normalizuar gjithmonë “tejkalimin e së drejtës” në emër të pushtetit personal të udhëheqësit.

Ky brez po e rrëzon këtë koncept pa asnjë kompleks. Ata nuk po kërkojnë një “baba” të ri të kombit; po kërkojnë institucione. Po kërkojnë check-and-balance, llogaridhënie, barazi para ligjit dhe transparencë radikale. Po kërkojnë thjesht një vend normal europian.

Është një kërkesë jetike për një brez që stanjacionin e këtij tranzicioni të pafund nuk e mat me librat e historisë, por me vitet e jetës së vet.

Është koha e tyre dhe detyra jonë e vetme është t’i mbështesim pa kushte dhe pa tentuar t’u shesim leksione të vjetruara.

P.S. Kjo thirrje vlen veçanërisht për ata që sot ulen nëpër kolltukët e pushtetit, duke harruar se në ato zyra kanë hyrë dikur pikërisht nga mushkëritë e nxehta dhe idealiste të protestës popullore. Historia harron, por sheshi mban shënim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.