E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria rrezikon të humbasë €90 milionë të tjera në arbitrazh
Publik News

Shqipëria rrezikon të humbasë €90 milionë të tjera në arbitrazh

  • Rasti i humbjes së gjyqit me biznesmenin italian Francesco Becchetti me një dëm ekonomik prej afro €109 milionë për buxhetin e shtetit, duket se është vetëm një prej përplasjeve të Shqipërisë me investitorët e huaj.

    Unpublished zbulon se prej vitit 2011 Shqipëria ka humbur 10 vendime arbitrazhi ndërsa nga një proces i nisur në Londër pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, nga buxheti i shtetit rrezikohen të “zhduken” €90 milionë të tjera.

    Bëhet fjalë për prishjen e njëanshme të kontratës me “Dondi, Itali & Kubota, Japoni” për projektin e “përmirësimit të sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe”.

    Kontrata është prishur nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve.

    Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se kjo gjë është bërë në kundërshtim me marrëveshjen e financimit dhe me kushtet e kontratës së lidhur me kontraktorin dhe vlerëson se buxheti i shtetit rrezikon të paguajë një shumë të konsiderueshme që llogaritet mbi €90 milionë.

    Juristja dhe ish-zv/ministre e drejtësisë Brikena Kasmi, tha për Unpublished se në avokaturën e shtetit mungon transparenca.

    Së bashku me të edhe ish-avokatja e përgjithshme e shtetit Ledina Mandija është e mendimit se ka ardhur koha që për këto fatura të kripura në dëm të taksapaguesve shqiptarë, të ketë përgjegjësi individuale penale krahas moralit politik.

    Gazetari i rrjetit ballkanik BIRN, Gjergj Erebara zbulon për Unpublished se Shqipëria rrezikon të humbasë miliona dollarë edhe nga një koncesion i dhënë në vitet 90-të nga Adil Çarçani për shfrytëzimin e bregdetit të Durrësit.

    Sipas ekspertit për çështjet e ekonomisë Dritan Shano këto raste kanë pasur dhe kanë një impakt tejet negativ në stepjen e investitorëve të huaj. Sipas tij Struktura e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) mund të hetojë personat përgjegjës për këtë dëm të madh ekonomik.

    Shqipëria ka aderuar në konventat për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të arbitrazhit në vitet 2000 dhe në një eksperiencë prej dy dekadash, fatura është më se e kripur. /Euronews.al

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.