E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SHQIPTARËT, NJERËZIT MË INTELIGJENTË NË PLANET!
Publik News

SHQIPTARËT, NJERËZIT MË INTELIGJENTË NË PLANET!

Ky nuk është rezultati i ndonjë studimi shkencor, por shumatorja e mendimeve që çdo shqiptar ka për veten e tij! Shumica absolute e shqiptarëve, mendojnë që secili prej tyre është njeriu më inteligjent që ka njohur, ose në rastin më të keq bën pjesë në “klubin” e 100 personave më inteligjentë në vend! Shumëkujt kjo mund t’i duket si retorikë boshe, si shaka e paarrirë, por në mbështetjen e kësaj “teorie” unë mund t’ju jap disa argumente:

  • Filloje nga vetja jote. A mendon se je i rrethuar nga njerëz më inteligjentë se vetja?!
  • A njeh ndonjë njeri që do të pranonte se bën pjesë tek grupimi me inteligjencë nën mesataren?! Nuk besoj. E pra, kjo na shtyn drejt një paradoksi matematik, sepse gjysma e individëve domosdoshmërisht bëjnë pjesë në grupimin “nën mesataren”!
  • A e keni vënë re nëpër studio televizive që çdo analist është ekspert në gjithçka e megjithatë ti do të flisje më bukur nëse do të ishe në vendin e tij?
  • A ka ndonjë popull tjetër në Botë që të lënë punët e veta dhe të flasin me kompetencë për demokracinë amerikane, për futbollin, për pandeminë, për ADN dhe ARN e vaksinave, për nobelistët dhe nga sot edhe për grushtin e shtetit në Myanmar?
  • A ka ndonjë vend në botë ku berberi në 15 minuta të mbush mendjen se do ta qeveriste këtë vend dhe do ta bënte Zvicër brenda një mandati?

Ju mund të mendoni vetë për argumente të tjerë që mua nuk më shkon mendja, sepse unë nuk jam më inteligjent sesa ju, pavarësisht se, fshehurazi teje, unë mendoj të kundërtën!

Në fakt, këtë të gjithë e mendojmë në fshehtësi dhe kënaqemi në privat me faktin se jemi njeriu më inteligjent në planet, por askush këtë nuk ka guxim ta shpalosë në publik!

Përveç njërit!

Përveç kryeministrit!

Ai harxhoi dy dekada për të na mbushur mendjen të besojmë se është më i zgjuari nga të gjithë, më artisti, më i kulturuari, më oratori, më sportivi, më sqimatari, më i afti për punët e shtetit, më karizmatiku midis politikanëve të Evropës dhe më gjerë…!

Në fillim këtë e linte të kuptohej. Kur i duhej ta “kuptonin” edhe më shumë akoma, vuri të tjerë ta bërtasin këtë në emër të tij, sigurisht kundrejt shpërblimeve të majme miliardëshe nga taksat tona. Kujtoni ministrin që tha “Një si Edi Rama i lind një kombi 1 herë në 100 vjet!” Kujtoni ministren që e cilëson si “Skënderbeu ynë”!

Ju me siguri mund të kujtoni edhe adhurues të tjerë, sepse ju jeni më të zgjuar sesa unë, por të gjithë ne jemi budallenj përpara atij, sepse ai është më i zgjuari nga të gjithë ne!

Për dreq, shqiptarët janë populli më i zgjuar në Botë dhe pak nga pak, po e kuptojnë se ai që është hequr gjithë këto vite si njeriu më inteligjent në Shqipëri, në fakt… është!

Është aq inteligjent, sa ka arritur të përdorë dhe të dominojë popullin më inteligjent në Botë për njëzet vite me rradhë!

Është aq inteligjent sa e ndjen se vetëm duke ofenduar inteligjencën e popullit më inteligjent në Botë, do t’i bëjë ata të votojnë sërish për të, duke e shpallur për herë të tretë si shqiptarin më inteligjent të të gjithë shqiptarëve inteligjentë!

Le të presim 25 Prillin dhe pastaj të gjykojmë së bashku, a jemi me të vërtetë ne shqiptarët, njerëzit më inteligjentë në planet?!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.