E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqiptarët për fetsa, rekord  daljesh jashtë vendit
Flash

Shqiptarët për fetsa, rekord daljesh jashtë vendit

Ritmi i daljeve të shqiptarëve tejkaloi hyrjet e të huajve në nëntor

Ritmi i daljeve të shqiptarëve jashtë vendit ka qenë më i lartë se ai i hyrjeve të shtetasve të huaj gjatë muajit nëntor. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për Lëvizjen e Shtetasve tregojnë se, në një muaj të shoqëruar me festa kombëtare dhe ditë pushimi, vendasit kanë preferuar më shumë udhëtimet jashtë Shqipërisë.

Sipas INSTAT, gjatë nëntorit 2025 kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë gjithsej 1.282.118 shtetas shqiptarë dhe të huaj, një rritje prej 1,4% krahasuar me nëntorin 2024. Ndërkohë, 1.322.499 shtetas shqiptarë dhe të huaj kanë dalë nga vendi, duke shënuar një rritje më të lartë prej 3,7% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Turoperatorët vlerësojnë se vjeshta 2025 ka pasur një ecuri më të mirë turistike krahasuar me një vit më parë. Sipas tyre, muajt shtator dhe tetor kanë qenë në nivele të kënaqshme, ndërsa nëntori ka shënuar një ngadalësim, edhe si pasojë e motit të paqëndrueshëm.

Në detaje, 652.150 shtetas shqiptarë kanë hyrë në vend gjatë nëntorit 2025, duke pësuar një rënie prej 1,3% krahasuar me nëntor 2024. Në të njëjtën kohë, 629.968 shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri, me një rritje prej 4,2% në baza vjetore.

Sa i përket daljeve, gjatë nëntorit 2025 677.065 shtetas shqiptarë kanë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar një rritje të ndjeshme prej 7,5% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Ndërsa 645.434 shtetas të huaj kanë dalë nga vendi, tregues i cili paraqitet pothuajse i pandryshuar, me një rënie shumë të lehtë prej 0,01%.

INSTAT bën të ditur se 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj në nëntor 2025 janë nga Evropa. Evropa Jugore përbën 86% të hyrjeve nga kontinenti evropian, e ndjekur nga Evropa Perëndimore me 5%, si dhe Evropa Qendrore/Lindore dhe Evropa Veriore, secila me 4%.

Turoperatorët theksojnë se vizitorët nga Evropa Perëndimore dhe më gjerë po zgjedhin gjithnjë e më shumë Shqipërinë gjatë vjeshtës dhe pranverës, kryesisht për turizëm kulturor. Përveç italianëve, të cilët mbeten grupi më i rëndësishëm pas Kosovës, edhe Gjermania dhe Franca po rrisin dukshëm peshën e tyre në flukset turistike.

Sipas INSTAT, në 97% të rasteve, qëllimi i hyrjes së shtetasve të huaj në Shqipëri është për arsye personale, tregues që në nëntor 2025 është rritur me 4,5% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale kanë shënuar një rënie prej 3,6%.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.