Shqiptarëve u kthehen festat ne makth
Ardhja e festave të fundvitit po mbledh në familjet shqiptare anëtarë të tyre, të cilët kanë marrë rrugët e Evropës për të punuar dhe jetuar. Gjatë të shtunës së 23 dhjetorit në pikat kufitare hyrëse të vendit tonë kishte radhë kilometrike automjetesh, dhe shumë shqiptarë që tashmë jetojnë në diasporë, pritën për orë të tëra në radhë për të kaluan në kufi.
Shqetësuese situata ishte në pikën e Kapshticës, nga ku në 24 orët e fundit u futën 8 441 persona, në Qafë Thanë ku hynë 4 149 shqiptarë, Kakavijë ku u futën 9 038 shtetas. Por situata e radhëve të gjata, paraqitet serioze dhe në portin e Durrësit. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, 3 tragete me 3 027 udhëtarë kanë mbërritur nga Bari dhe Ankona. Fluksi i automjeteve ka qenë i lartë, teksa gjatë ditës pritet të vijnë dhe tre tragete të tjera.
Gjithë këto shifra tregojnë për situatën dramatike që po përjeton atdheu nga braktisja e njerëzve, të cilët nuk kanë parë të ardhmen e tyre këtu, duke lënë prindërit e moshuar dhe emigruar në Evropë. Një herë në vit që kthehen për të takuar të afërmit, u duhet të përballen me situatat e pakëndshme nga radhët në dogana, që për ta kanë qenë mjaft shqetësuese. Disa prej tyre kanë kaluar natën dhe të ftohtin në automjete, ku me vete kanë pasur dhe fëmijët e vegjël.
Kjo panoramë shfaqet thuajse çdo vit në këtë periudhë, ku emigrantët kthehen 1 javë për festa, dhe më pas largohen përsëri në vendet ku kanë emigruar dhe ndërtuar familjet e tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



