E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shtëpia e Bardhë: Të tria vaksinat e miratuara, të efektshme, të padëmshme
Publik News

Shtëpia e Bardhë: Të tria vaksinat e miratuara, të efektshme, të padëmshme

Ekipi i Shtëpisë së Bardhë për reagimin ndaj COVID-it tha të premten se të gjitha vaksinat e miratuara kundër koronavirusit janë të efektshme dhe të parrezikshme dhe u bëri thirrje amerikanëve të bëjnë cilëndo vaksinë që u ofrohet në klinikën e tyre.

 Reagimi pason komentin e kryebashkiakut të Detroitit i cili u shpreh se nuk do vaksinën e prodhuar nga Johnson & Johnson dhe e kishte mohuar ofertën për një sasi të kësaj vaksine për përdorim në qytetin e tij.

Të enjten në një konferencë për shtyp, kryebashkiaku Mike Duggan tha se nuk e kishte pranuar kontigjentin e vaksinave Johnson & Johnson, duke shtuar se megjithëse është vaksinë e mirë, ai besonte se vaksinat e Pfizer-BioNTech dhe Modernas janë më të mira dhe ai donte “më të mirën” për banorët e Detroitit.

Në konferencën për shtyp të premten, këshilltari për koronavirusin Andy Slavitt tha se Shtëpia e Bardhë kishte kontaktuar kryebashkiakun dhe se kishte pasur një keqkuptim dhe zoti Duggan nuk kishte synuar të refuzonte vaksinat. “Në fakt, ai i pret vaksinat e Johnson & Johnson me entuziazëm”.

Dr. Anthony Fauci përsëriti se të tria vaksinat janë “jashtëzakonisht” efektive për parandalimin e rasteve të rënda të sëmundjes si dhe vdekjet. Ai këshilloi amerikanët të bëjnë cilëndo vaksinë u ofrohet, sepse është me rëndësi që të vaksinohen.

Ndërkaq, drejtoresha e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Rochelle Walensky tha se shpreson se agjencia do të nxjerrë udhëzimet zyrtare për ata që janë vaksinuar. Ajo tha se e kupton që njerëzit mezi presin të dinë se çfarë u lejohet të bëjnë, por qendra do të sigurohet se po jep këshillat e duhura.

Udhëzimet e qendrës do t’u përgjigjen një numër pyetjesh lidhur me aktivitetet që mund të bëjnë të vaksinuarit, si vënia apo jo e maskës, lëvizja me avion ose frekuentimi i restoranteve.

Më shumë se 54 milionë njerëz në SHBA kanë bërë deri tani 1 dozë vaksine, ndërsa më shumë se 27 milionë vetë janë të vaksinuar plotësisht.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.