Shtetarët tane ia kanë dalë të na e vrasin shpresën, duke u marrë gjithë ditën me llogje dhe jo me punë.
Entela Resuli
Sipas Gallup, shtetasit më dëshirën më të lartë për të emigruar nga vendi i tyre janë qytetarët e Sierra Leones, një vend i mbërthyer nga luftërat civile dhe konfliktet e armatosura.
Të dytët janë shqiptarët ku 56 për qind e popullsisë duan të largohen nga vendi.
Pas Shqipërisë, vijnë dy vende të tjera afrikane, Liberia me Kongon, ndërsa Siria rezulton në vendin e nëntë.
Gjetjet e sondazhit i përkasin periudhës 2013-2016. Përveçse në tre vendet me përqindjen më të lartë në botë të popullsisë që do të emigrojë, Shqipëria është edhe ajo që ka shënuar rritjen më të madhe të këtij treguesi vitet e fundit.
Erion Kristo
“Shqiptari nuk është dembel, por thjesht i pamotivuar”
–Erion, 56 për qind e shqiptarëve duan të largohen nga vendi, sipas Gallup. Të shqetëson kjo shifër?
Po unë nuk kam pritur Gallupin për të ditur të vërteta kaq të qarta të jetës sonë. Janë bërë dhe sondazhe të tjera, nga gjermanët, etj. Kurse unë kam përvojën e drejtpërdrejtë. Dy vite më parë kur ishte çelja e Lotarisë Amerikane, unë shtrova pyetjen: A e festuat Festën Kombëtare të Lotarisë Amerikane? Dhe ishin 200 mijë vetë që aplikuan. Ishte e qartë si drita e diellit. Përveç faktit të largimeve masive për në Gjermani, ku të gjithë e dinin se do ktheheshin, e përsëri shkonin. Ishte rezultat i politikave të qarta të shpopullimit të Shqipërisë. Njerëzit nuk hanë dogma, po bukë. Dhe për fat të keq jetojmë në kohën e dogmave. Kjo shifër më duket se më shqetëson vetëm mua dhe aspak autoritetet e vendit. Nuk ka asnjë analizë serioze, por ka humor bajat me këtë çështje, duke thënë se po ikin njerëzit, po jo nga Shqipëria, por shqiptarët e Greqisë. Papërgjegjshmëri totale.
–Çfarë i shtyn njerëzit sipas teje të kërkojnë largimin?
Njerëzit duan më të mirën nga jeta dhe jeta jonë u ofron më të keqen. Formula është e qartë dhe s’ka nevojë për komente të mëtejshme. Kur shpresa, që vdes e fundit, më në fund vdes, mbetet vetëm ikja si opsion. Dhe këta shtetarë ia kanë dalë të na e vrasin shpresën, duke u marrë gjithë ditën me llogje dhe jo me punë.
– A mos jemi pak dembelë dhe kujtojmë se po të shkojmë jashtë do të gjejmë “parajsën”?
Shqiptari nuk është dembel, por thjesht i pamotivuar. Shqiptari kërkon dinjitet dhe jo shfrytëzim për pesë aspra. Në botën e zhvilluar është po ky shqiptar që krijon begati për familjen e vet. Pra, nuk është dembel. Fjalën dembel e kanë shpikur ata që na kanë ofruar vetëm propagandë dhe asgjë reale. Këtë e kanë bërë për të justifikuar paaftësinë ose mosdëshirën e tyre, duke na e veshur neve.
–Ka një mungesë shprese në vend, sipas teje, a ndihen njerëzit të dëshpëruar?
Ka një mungesë të theksuar shprese, gjë që nuk ndodh as në vendet ku zhvillohen luftëra. Pra, tek ne po zhvillohet realisht një luftë. Është lufta kundër njeriut të thjeshtë dhe është një luftë e zhvilluar nga pushteti. Pushteti do të na pijë gjakun. Shqiptari nuk e pranon. Dëshpërimi duket te rritja e numrit të vetëvrasjeve, vdekjeve banale dhe marrëzia e shfaqur madhështisht. Qelbi po pëlcet.
–Cila është kura sipas teje?
Kura është shumë e thjeshtë: kur t’i hedhim politikanët në koshin e plehrave, ata do ta kuptojnë që nuk jemi ne plehrat, po ata.
–Ti vetë e ke menduar të largohesh ndonjëherë nga ky vend?
Unë vetë kam aplikuar dy herë për Lotarinë Amerikane dhe nga shtatori e tutje do kujdesem seriozisht për mundësi të tjera, në vende të tjera. Nuk mund të jetoj në një vend ku nuk vlerësohen vlerat, ku marrin çmime e dekorata njerëz fare të parëndësishëm, ku drejtojnë njerëz të pashkolluar, ku skandali i lë vendin skandalit, e plot të tjera. Në një vend ku nuk përfillem, skam pse të harxhoj kohën time jetësore që është e shenjtë, ngase e papërsëritshme.
Ergys Mërtiri, sociolog
“E kam pranuar vendin tim tashmë si fatalitet, sido që të shkojnë gjërat”
-Ergys, sondazhi i Gallup na jepte shifra alarmante mbi dëshirën e shqiptarëve për t’u larguar jashtë vendit. I sheh edhe ti si të tilla, shqetësuese?
Sigurisht që shifrat janë shqetësuese. Nuk mund të ketë problem më të madh për një vend, sesa dëshira masive e popullatës së tij për t’u larguar. Largimi i njerëzve krijon probleme të mëdha që, ndër të tjera, pamundësojnë zhvillimin. Ata që ia dalin më shumë të largohen janë kryesisht njerëzit e aftë, dhe kjo varfëron krahun e punës, burimet profesionale e intelektuale në vend. Kështu emigracioni ka marrë kryesisht profesionistët dhe inteligjencën duke e lënë këtë vend në duart e të paaftëve. Kjo natyrisht që është dëshpëruese.
-Çfarë i shtyn këta njerëz të kërkojnë të largohen, pse nuk kërkojnë ta ndërtojnë punën, jetën, në vendin e tyre?
Njerëzit largohen sepse ndjehen të pashpresë. Ata shohin që nuk ka perspektivë, nuk ka zhvillim, nuk ka mundësi punësimi, nuk ka drejtësi, nuk ka shërbime elementare për një jetë normale, etj. Nga ana tjetër sidomos njerëzit e aftë dhe profesionistë ndjehen të pavlerësuar në një vend ku karriera, punësimi, pasuria krijohen nëpërmjet nepotizmit, lidhjeve familjare e politike. Natyrisht që është dëshpëruese kur një profesionist i mirë shikon sesi të paaftët bëjnë karrierë dhe bëhen shefat e tyre. Ndër të tjera kjo lëndon edhe ndërgjegjen e tyre. Këtu, duket se nuk ka më vend për të aftët dhe natyrisht largimi shikohet si i vetmi mjet shpëtimi.
–Ky dëshpërimi masiv, mos është pak edhe ngjit ës…?
Sigurisht. Njerëzit ndikohen nga njëri-tjetri dhe kjo klimë ka prirjen të kthehet edhe në psikozë, duke i demoralizuar njerëzit, duke i bërë ata të pashpresë, gjë që krijon mungesë të theksuar vullneti për t’i motivuar ata të ndërtojnë diçka.
– Sa ndikon politika në këtë pikë, duke patur parasysh se ajo ka një rol të rëndësishëm në vend, por nga ana tjetër edhe ne jemi një popull që konsumojmë shumë politikë?
Politika është një ndër faktorët kryesorë të prodhimit të dëshpërimit masiv në Shqipëri. Jo vetëm fakti që administrata shtetërore, e cila zë një peshë të madhe në skemën e punësimit, është një sistem nepotik, ku punësimi organizohet mbi bazë të militantizmit partiak, lidhjeve shoqërore apo farefisnore, por edhe në privat, kjo klimë gjen një përhapje të madhe, për aq sa bota e biznesit ka varësi prej politikës. Ndërkohë, politika shpesh nuk të le as të punosh. Kur shteti bëhet gjobëvënës dhe përdor kritere selektive në zbatimin e ligjit, ua vështirëson punon bizneseve, sipërmarrësve apo profesionistëve të lirë. Dhe kjo natyrisht i demotivon ata për të punuar në vendin e tyre.
–Sipas teje, çfarë kërkojnë nga një vend i huaj?
Kërkojnë pikërisht atë që nuk mund ta gjejnë këtu: mundësi punësimi, respektim të punës së tyre, dinjitet, shërbime më të mira, sociale, shëndetësore, arsimore, qetësi, siguri, etj.
–Vendi ku duan të emigrojnë më shumë Shqiptarët janë ShBA-të.. e pritshme kjo preferencë?
E pritshme natyrisht. SHBA-të janë një vend që ofrojnë mundësi për punësim dhe për sukses. Janë një vend i krijuar nga emigrantë, ku dhe mundësitë për t’u integruar janë të mëdha. Natyrisht edhe Gjermania është tashmë një ëndërr, duke parë kushtet e mira që ajo ofron për punësim dhe përkrahje sociale.
–Ti vetë e ke menduar ndonjëherë të largohesh? Pse?
Nuk e kam parë kurrë emigracionin si zgjidhje, për shkak se kam menduar gjithmonë që do ta kem të vështirë të jetoj pa të afërmit dhe miqtë dhe shumë gjëra që më lidhin me këtë vend. Kam menduar gjithmonë se, sado mirë të jem nga ana financiare, njeriu ka edhe shumë nevoja të tjera që nuk t’i garantojnë paratë. Gjatë këtyre dy viteve kam jetuar vajtje-ardhje në Norvegji, dhe, duke parë rrënimin e perspektivës gjatë kësaj qeverisjeje, ka qenë nga të paktat herë kur e kam menduar seriozisht të mos kthehem. Megjithatë u riktheva, kjo ndoshta më shumë edhe për faktin se, në moshën time, më duket e lodhshme për t’ia nisur nga fillimi diku tjetër. E kam pranuar vendin tim tashmë si fatalitet, sido që të shkojnë gjërat. E trishtë është ta pranosh, por është realitet.
Blendi Salaj, gazetar
“Jam ende shpresëmirë për vendin tonë dhe për njerëzit tanë”
Blendi, në Peshkupaujë, lajmin mbi sondazhin e Gallup, i cili tregonte që 56 për qind e shqiptarëve duan të largohen nga vendi i tyre, ju e kishit shoqëruar me një fjalë në titull “E frikshme”. Sa ju shqetësojnë këto shifra?
Janë të frikshme sepse ti e lexon s’u beson syve. 56% e njerëzve duan të ikin që këtu? Është si një shtrat bashkëshortor ku fle vetëm një njeri. Si një duet ku njëri nga këngëtarët nuk këndon. Si një takim ku ajo nuk shkon. Se ka ikur diku tjetër. Është e frikshme sepse këtu është një vend shumë i bukur, me potencial të shkëlqyer, e përderisa gjysma duan ta braktisin, është për t’u shqetësuar. Pse duan të ikin vallë? Shkaqet pra, duhet të na trembin.
–Çfarë i shtyn shqiptarët të kërkojnë të largohen nga vendi i tyre, sipas jush?
I shtyn varfëria, mungesa e perspektivës. Instagrami i VIP-ave që postojnë syze dielli që kushtojnë sa rroga e gjashtë muajve, Facebook-u i qeveritarëve që pompojnë ylberin e propagandës. Shanset e pabarabarta, vlerësimi i ulët për talentin, dijen, investimet personale. Këtu jetojnë mirë vetëm ata që kanë trashëguar tokë dhe ata që kanë trafikuar drogë. Të tjerët u shërbejnë kafetë këtyre, apo punojnë për ta në forma të ndryshme. Ka disa që kanë arritur gjëra me punë, padiskutim, por këta janë gjithnjë nën kërcënim.
–Po në fakt shoqëritë janë gjithmonë në kërkim të një jete më të mirë, kudo lëvizin, pse ne duhet t’i marrim si shqetësuese këto shifra?
Shoqëritë do të lëvizin dhe shumë mirë që lëvizin, por o kemi lëvizur (emigruar) ne, sa nuk ka tjetër komb në Europë të ketë lëvizur po aq për frymë popullsie. Shqipëria i ka kryer ciklet e emigracionit. Po të ishin vitet ‘90 nuk do isha i shqetësuar por është 2017 dhe ne ende dëshirojmë të ikim sikur të ishte 1997. A vallë nuk duhen edhe ca periudha qëndrese, për të hedhur rrënjët e një shteti? Po s’i u bëka shteti kur gjysma janë gati të hidhen nga autobusi nëse ky ndalon për një çast?
-Ka dëshpërim, depresion shoqëror… çfarë?
Ka pak nga të gjitha. Ka edhe sens aventure, kuriozitet, dëshirë për të parë çfarë bëhet matanë. Pra janë problemet sociale, dhe ato përbëjnë pjesën së cilës i kushtuam jo pak vend në intervistë, por janë edhe ata që do kishin ikur edhe sikur Shqipëria të ishte parajsë, sepse ata thjesht duan të lëvizin. I thërret shpirti i tyre.
-Vendi ku duan të emigrojnë më shumë shqiptarët janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës… e pritshme kjo preferencë?
Natyrisht, Amerika është ëndrra. Kur njerëzit pyeten a duan të largohen, përgjigjet janë fillime ëndrrash që ata tregojnë.
Ti vetë e ke menduar ndonjëherë të largohesh? Pse?
Natyrisht, mendja e njeriut bredh pa leje, ku nuk shkon. Ndonjëherë njeriu lodhet dhe kërkon një ndërrim skene. Por edhe unë e kam kryer ciklin e emigrimit. 12 vjet larg Shqipërisë kanë qenë mjaft. Jam ende shpresëmirë për vendin tonë dhe për njerëzit tanë, ndaj qëndroj bashkë me familjen. Largimi nga Shqipëria, kthimi në Amerikë do ishin zgjidhja më e lehtë praktike kur bëhet fjalë për mirëqenien e familjes. Por do ta doja atë mirëqënie këtu. Ndaj qëndroj dhe mundohem që puna ime të shërbejë si ndihmë e vogël që ajo Shqipëri që duam, të bëhet vërtet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




