Shteti social dhe “leksioni i pijanecit”

Para pak ditësh, në një nga lokalet e lagjes time, ku zakonisht edhe une pi kafen me raki, jam ndodhur i befasuar intelektualisht dhe i “bombarduar” “ideologjikisht nga një “leksion” i gjatë social i mbajtur me pasion nga njëri prej “banorëve të lokalit”, që njihet se përgjithësisht është disi përdorues i gjërë i alkoolit. I cili pasi ishte karrikuar fort me alkool, i kishte drejtuar bateritë e “kritikës sociale” publike mbase pa e ditur tipologjinë dhe kundër modelit aktual të mbështetjeve të shtetit social. Por sikur të ishte ky një rast i shkëputur nuk besoj se do t’i kushtoja rëndësi, por më duket se në shoqërinë tonë ka akoma shumë njerëz që vazhdojnë të jenë të “dehur” nga përfytyrimet e deformuara alkoolike të shtetit social, që vazhdojnë të ngulin këmbë dhe të evidentojnë mangësi dhe mungesë të përgjegjësisë të “shtetit social”. Në të vërtetë më ka ndodhur shpesh dhe shumë raste kam qënë prezent në këto “leksione pijanecësh”.
Duke qënë profesionist i vjetër i çështjeve sociale, për mua nuk ishte rasti i parë i ballafaqimit me këto lloje “leksione pijanecësh”, të mbajtura me “pasion ideologjik” e zë super të lartë nga disa njerëz të njohur si llafologë, dembelë e njerëz me energji të atrofizuara.
Dhe në fushën e trajtimit të çështjeve sociale të shoqërisë tonë, kam dëgjuar prej tyre në disa raste ide realiste, por në shumë raste edhe aluçinacione sociale, përjetime personale fantazmagorike, jo vetëm për statusin dhe situatën e varfërisë personale, por të shoqëruara shpesh edhe me iluzione të kota, rrugë imagjinare për zgjidhjen e problemeve që preokupojnë individin dhe shoqërinë shqiptare. Nuk besoj se ka ambient më adekuat se sa kafenetë dhe pijetoret, ku çdo ditë zhvillohen debate sociale me tone të ngritura, kundër mungesës së përgjegjësisë dhe rolit të dobësuar të shtetit social, për të marrë përsipër detyrat dhe rolet e veta. Por nuk janë vetëm kafenetë dhe pijetoret, ambiente ku bëhen ditirambe për çështjet sociale. Ato tani i ndesh kudo, në familje, në rrugë, në qëndrat sociale dhe administratën e ndihmës ekonomike, në debatin politik e parlamentar.
Me një fjalë “leksione pijanecësh” kanë filluar të përhapen dhe të “demokratizohen” si limfë që qarkullon në ambiente më të gjëra. Por pavarësisht ambienteve të “diskursit social”, duket se në shumë raste edhe shtresa më të gjëra të shoqërisë kanë iluzione të dehura për shtetin social dhe për pasojë kanë filluar mbase padashje apo pa e kuptuar, të përshtaten me “leksionin” e pijanecit të klubit të lagjes time. Kjo ka bërë që tani, sidomos tani të qarkullojë një kakofoni e zgjeruar idesh të deformuara për shtetin social, rolin e tij dhe raportet e përgjegjësive të personalizuara me individin në nevojë.
E shoqëruar kjo edhe një amalgamë konfuze utopish dhe paqartësish, herë me natyrë ideologjike (nuk ka vënd më të mirë për të bërë me lehtësi politizime të majta apo të djathta sipas “orientimit partiak të pijanecëve”. Në fakt këto “leksione pijanecësh” janë bërë të bezdishme për ambientin social të njerëzve të varfër. Kjo sepse njerëzit që akoma janë të “dehur” dhe nuk kuptojnë “esell” realitetet e vërteta të raporteve të personalizuara me “shtetin social” dhe me “veten, idetë e deformuara dhe dëshirat e ekzagjeruara për të dalë nga situata e tyre e varfërisë, gjithnjë e më shpesh paradoksalisht dhe në mënyrë alogjike I shoqërojnë me mendime absurde tejet subjektive e përfytyrime të hipetrofizuara për të ashtuquajturin përgjegjësi e “shtetit social”. Nga ana tjetër këto “leksione iluzive” dhe realitete me dimensione të pamundura të të ashtuquajturës përgjegjësi e shtetit social, shoqërohet në shumicën e rasteve me një prirje zvogëluese alarmante për të vërtetën e ashpër të rolit të individit dhe sidomos për përgjegjësitë e personalizuara të tij për ta kapur veten “prej flokësh” dhe për ti dalë me çdo kusht “zot” jetës së tij. Në kohën e sotme fantazitë sociale janë në rënie, për shkak të një procesi të dukshëm të “privatizimit” të shumë prej ideve, praktikave dhe domethënieve sociale të dikurshme.
Shteti social dhe të “vërtetat e rrëshqitshme” të jetës
Jeta në shoqërinë tonë është bërë e vështirë për individët në situatë nevoje. Por paralelisht dhe në të njëjtën kohë shumë e vështirë është edhe për të përcaktuar qartë dhe hapur dimensionet e vërteta dhe funksionet e shtetit social. Kjo do të thotë se na duhet një shikim tjetër i shkaqeve dhe pasojave sociale. Vetëm nën efektin e “leksioneve të pijanecëve” mund të besojmë dhe të mos kuptojmë, që shoqëria liberale me model individualist mund të pajtohet me modelin e kapërxyer të “shtetit social paternalist”.
Megjithatë nuk mund të mohohet fakti që kujdesi i shtetit dhe shoqërisë për njerëzit në nevojë, është megjithse më i reduktuar, një nga treguesit esenciale të natyrës sociale. Në këtë kontekst, ata megjithë vështirësitë që kalojmë asnjëherë njerëzit në nevojë nuk kanë qënë jashtë kujdesit të shtetit apo vemëndjes së shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Brenda kontekstit të mundësive social ekonomike dhe nivelit relativisht të qëndrueshëm të varfërisë që përjetojmë, janë zhvilluar politika sociale dhe institucionale në mbrojtje të njerëzve, grupeve dhe shtresave në nevojë.
Problemi i kategorisë sociale të njerëzve të margjinalizuar, vulnerabël, të dobët apo të pambrojtur është realisht një çështje sociale e ndjeshme, një nga problemet sociale më kruciale, për shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Në këto momente në tërësinë e njerëzve në nevojë apo shoqërisht të paintegruar bëjnë pjesë fëmijët jetimë, njerëzit me aftësi të kufizuara, të moshurit e vetmuar, familjet që ende jetojnë në varfëri, invalidët e punës, gratë viktima të trafikut dhe prostitucionit, etj.
Shqetësimi si shtet si shoqëri, por edhe i tyre individualisht, është që të përmirësojmë mekanizmat socialë dhe përpjkjet individuale të domosdoshme për zbutjen e shkaqeve ekonomike, sociale apo personale, që i kanë vendosur këta njerëz, në “periferi të shoqërisë” shqiptare. Polarizimi pasuror i njerëzve, segmentimi social i shoqërisë shqiptare nga veprimi i fragmentuar i lojës së tregut dhe aftësive të kufizuara të individit për t’u adoptuar me të, janë shkaku kryesor për dukurinë e njerëzve të “paintegruar” shoqërisht, apo që jetojnë në varfëri dhe të margjinalizuar.
Krahas me njerëzit e sukseshëm ekonomikisht, të orientuar kulturalisht, po duken individë, shtresa e grupe sociale, që kanë vështirësi adoptimi me kërkesat e jetës, e cila po shfaqet gjithnjë e më e vështirë. Realiteti është sfidues për disa njerëz “të dobët”, me mangësi kulturore, profesionale dhe sociale. Ata kanë vështirësi të veçanta për t’u orientuar me kërkesat imperative të tregut të punës, me parametrat e jetës moderne.
Varfëria, margjinaliteti, vulnerabiliteti, asocialiteti, frika, pesimizmi dhe shumë përjetime emocionale që ndjenë një kategori njerëzish në realitetin tonë, nuk janë të lidhura vetëm me vështirësitë objektive dhe përgjegjësitë sociale të shtetit apo ndikimet kontroversale të veprimit të mekanizmave të ekonomisë së tregut, por edhe me psikologjinë dhe qëndrimet destruktive që vijnë nga “leksionet” e dehura sociale që shfaqen ndaj mënyrës së papërgjegjshme dhe pa vullnetin e kërkuar për ndërtimin e jetës personale.
Në këtë kontekst, me “leksione pijaneci” është e pamundur të dilet nga vartfëria dhe për pasojë kjo është arsyeja bazë pse pastaj bëhet tejet i vështirë integrimi social i njerëzve që vetëizolohen, mbyten nga duhmat sociale të “alkoolit” të bashëkshoqëruara nga përtacia mendore dhe fizike. Në realitetin tonë, po shtohen njerëzit që mbeten në skaj të shoqërisë, individualisht të paintegruar më shumë për shkaqe subjektive dhe mentalitetet e deformuara të organizimit të jetës personale.
Një pjesë e tyre natyrisht, duke u sjellë në këtë mënyrë me jetën e tyre, pësojnë disfatë në përplasjen me rregullat kaotike të ekonomisë së tregut, mbeten pa punë, apo që sigurojnë jetën me një ndihmë ekonomike modeste. Është tepër shqetësues fakti, që po shtohen përditë njerëzit, veçanërisht të rinjtë të cilët janë të dhënë pas një jete, që është e varur nga substancat psikotrope, si droga dhe alkooli. Dhe për pasojë të ndodhur me këtë “status” vijnë vërdallë shoqërisë dhe mejhaneve sociale dhe mendojnë gabimisht se mund të gjejnë shpëtim duke mbajtur “leksione pijaneci” kundër shtetit social.
Të hutuar nga jeta dhe me “iluzione leksionesh pijaneci” një pjesë prej tyre shfaqin prirje të dukshme asociale, vështirësi për të parë jetën me optimizëm. Ata shfaqen pesimistë, të dëshpëruar, me energji negative, të shteruar nga besimi se jeta e vlen të jetohet, kur përpiqesh për të. Nuk janë të pakta rastet e atyre njerëzve që të rënë në dëshpërim nga jeta boshe e paprogramuar, bëjnë veprime ekstremisht destruktive ndaj vetes, apo të tjerëve, që bëjnë vrasje apo vetvrasje duke destruktuar gjënë më të shenjtë dhe më të shtrenjtë, sic është jeta e njeriut.
Ky realitet i njerëzve me vështirësi integrimi dhe adoptimi social, tashmë duhet konsideruar me kujdes nga shteti dhe shoqëria jonë, sepse ata nuk janë disa njerëz të shkëputur, por grupe sociale, moshore që jetojnë në varfëri apo të margjinalizuar dhe që doemos që kërkojnë trajtim, kujdes social të shtuar. Mbi të gjitha, nxitje për të gjetur rrugën e orientimit social, për të dalë nga gropat dhe enklavat butaforike e të rrezikshme të realiteteve false, dhe ndikimeve deformuese të “leksioneve” prej “pijaneci social” dhe llafazanërisë së “jetës boshe”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



