E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si e prek ‘5 qershorin’ ndryshimi pa konsensusin e PD-LSI i dy neneve në Kushtetutë
Publik News

Si e prek ‘5 qershorin’ ndryshimi pa konsensusin e PD-LSI i dy neneve në Kushtetutë

Parlamenti i Shqipërisë miratoi dje pa konsensusin e opozitës politike ndryshimin e dy neneve në Kushtetutë, konkretisht atë 64 dhe 68. Riformulimi i dy neneve sjell ndryshim të rregullave të lojës në garën për pushtetin qendror.Rama-Kuvend

Fillimisht, neni 64, pika e parë, sanksionon për herë të parë vendosjen e pragut në Kushtetutë. Në të thuhet që shpërndarja e mandateve bëhet vetëm për partitë që plotësojnë pragun kombëtar, ndërsa se sa do të përcaktohet pragu, do të sanksionohet në Kodin Zgjedhor, që do të rishihet sërish pas ndryshimeve që u bënë më herët nga marrëveshja e 5 qershorit.

 

“Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional, me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar”, sanksionohet në pikën 1 dhe 2 të nenit 64 të Kushtetutës. Ndërsa në pikën e tretë të këtij neni sanksionohet hapja e listave. Në Kushtetutë nuk sanksionohet nëse do të jetë hapje e plotë apo e pjesshme, por në argumentimin e relatorëve në Këshillin e Legjislacionit thuhej se maxhoranca kërkonte hapje me 2/3 të listave.

“Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimi parapëlqyes t’i nënshtrohet jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”, ndryshohet pika e tretë e nenit 64.

Ndërsa në nenin tjetër, atë 68, ndryshohet vetëm pika një, ku hiqet nga Kushtetuta togfjalëshi “koalicion zgjedhor”. Riformulimi i ri sanksionon që kandidatët për deputetë propozohen vetëm nga partitë politike dhe zgjedhësit.

MARRËVESHJA E 5 QERSHORIT

Opozita e bashkuar kundërshton ndryshimet kushtetuese pasi thotë se prek marrëveshjen e 5 qershorit. Por çfarë dakordësoi maxhoranca dhe opozita politike në Këshillin Politik më 5 qershor? Në dakordësinë e shkruar në anglisht, në prani edhe të ndërkombëtarëve, palët nënshkruan parimet, ku ndër të tjera thuhej se drafti që do prodhojë Këshilli Politik për amendimin e Kodit Zgjedhor do miratohet në Parlament pa ndryshuar. Pas shumë diskutimesh, që nga 5 qershori më 23 korrik, Parlamenti miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ligji pritet të dekretohet edhe nga Presidenti Ilir Meta.

Por çfarë përmban drafti i amendimeve në Kodin Zgjedhor. Në dy prej neneve të draftit të dakordësuar nga Këshilli Politik të miratuar tashmë, flitet për koalicione parazgjedhore. Konkretisht, neni 19 i draftit që amendon nenin 67 të Kodit Zgjedhor. Ai flet për numrin e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore.

“Për partitë pjesëtare të koalicionit që garojnë me lista shumemërore të veçanta, numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy”, shkruhet ndër të tjera në nenin 19 të draftit të dakordësuar nga marrëveshja e 5 qershorit. Ndërkohë, neni tjetër i 5 qershorit, që flet për koalicionet, është ai 36, që sanksionon se çfarë ndodh lista e kandidatëve të një partie në koalicion.

“Në rastin kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë”, sanksionohet në draftin e dakordësuar, të miratuar tashmë në Parlament. Dy nenet e cituara më sipër nxjerrin qartë se ndryshimet kushtetuese të miratuara dje prekin marrëveshjen e 5 qershorit. Neni 68 i kushtetutës i amenduar sipas draftit të dakordësuar heq mundësinw e koalicioneve parazgjedhore.

Ishte

1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.

2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.

3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

Bëhet

1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar.

2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar.

3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.”.

NENI 68

Ishte

Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

Bëhet

Pika 1 e nenit 68 ndryshohet si më poshtë: “1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.”.

AMENDIMET E MIRATUARA MË 23 KORRIK

NENI 19

Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre. Për partitë pjesëtare të koalicionit që garojnë me lista shumemërore të veçanta, numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy

NENI 36, PIKA 5 Në rastin kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.