Si e shpalli Vlora Hyseni spiun Ergys Agasin: Është bashkëpunëtor i SHISH
SPAK dyshon se marrëdhënia mes Hysenit dhe Agasit ka qenë më e gjerë se komunikimet telefonike që pranon ish-drejtoresha e SHISH.
Sipas deklarimeve të ish-drejtoreshës së SHISH, komunikimi me Ergys Agasin lidhej me pretendimin se ai ishte bashkëpunëtor i shërbimit.
Vlora Hyseni ka dhënë shpjegime para Prokurorisë së Posaçme lidhur me marrëdhënien dhe komunikimet e saj me Ergys Agasin, duke deklaruar se ai ka qenë bashkëpunëtor i SHISH.
Sipas burimeve mediatike, Hyseni është marrë në pyetje nga SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat që po hetohen. Në dëshminë e saj, ajo ka shpjeguar edhe arsyen e komunikimit të vazhdueshëm me Agasin, duke e lidhur atë me rolin që, sipas saj, ai kishte si bashkëpunëtor i shërbimit.
Ky pretendim përbën një nga elementët që po shqyrtohen në kuadër të hetimeve, ndërsa SPAK po verifikon natyrën e marrëdhënies mes ish-drejtoreshës së SHISH dhe Agasit, si dhe informacionet që mund të jenë shkëmbyer mes tyre.
Hyseni, sipas deklarimeve të saj, ka mbajtur qëndrimin se komunikimi me persona që bashkëpunojnë me shërbimin është pjesë e funksionimit të strukturave të inteligjencës. Në këtë kuadër, ajo e ka paraqitur komunikimin me Agasin si të lidhur me statusin e tij si bashkëpunëtor.
Megjithatë, hetuesit po analizojnë komunikimet e administruara gjatë hetimit për të përcaktuar nëse marrëdhënia mes tyre ka qenë vetëm në funksion të këtij bashkëpunimi apo ka pasur edhe elementë të tjerë.
Në kuadër të veprimeve hetimore, në telefonin e Hysenit dyshohet se janë gjetur një numër i konsiderueshëm komunikimesh me Agasin. Bëhet fjalë për telefonata dhe komunikime të tjera, ndërsa në materialet e administruara gjatë hetimit raportohet se ka edhe fotografi dhe video.
Pikërisht përmbajtja dhe rrethanat e këtyre komunikimeve janë pjesë e verifikimeve të SPAK, pasi prokuroria po përpiqet të përcaktojë nëse çdo kontakt ka qenë i lidhur me aktivitetin e pretenduar të Agasit si bashkëpunëtor i SHISH.
Hyseni ka deklaruar se komunikimi me Agasin ka qenë telefonik dhe ka mohuar që të ketë pasur takime fizike me të. Nga ana tjetër, sipas burimeve, prokuroria po verifikon edhe këtë pjesë të deklarimeve, përfshirë mundësinë që marrëdhënia mes tyre të ketë qenë më e gjerë nga sa është pranuar.
Në këtë fazë, pretendimi se Agasi ishte bashkëpunëtor i SHISH mbetet pjesë e deklarimeve të dhëna nga Vlora Hyseni dhe po shqyrtohet nga organet e drejtësisë në kuadër të hetimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



