E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si guxojnë dhe mbajnë të lirë kriminelët me mallra të skaduar?
Lajme

Si guxojnë dhe mbajnë të lirë kriminelët me mallra të skaduar?

 Burgun e kanë pak!

Igli Çelmeta

Si mund të mbash të lirë ata që kanë helmuar popullin? Si mund të përballesh me një krim kaq të rëndë ndaj shëndetit të qytetarëve, dhe veçanërisht të fëmijëve, e të vendosësh thjesht një “procedim në gjendje të lirë”?

Diten e sotme, strukturat e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit zhvilluan një aksion në Vorë, ku arrestuan administratorin dhe magazinierin e një subjekti që merrej me shpërndarjen e produkteve ushqimore, por pronarin nuk e shqetësuan. Ata kishin ngritur një skemë kriminale të rrezikshme, merrnin mallra të skaduara, ndërroheshin etiketat dhe datat e skadencës, dhe këto mallra futeshin sërish në treg si të “freskëta”.

Pamjet e publikuara nga Policia janë tronditëse. Nëpër magazina ruheshin sasi të mëdha produktesh të skaduara, si brioshë, fruta të thata, fara, hurma arabie, biskota, çokollata dhe pije, pjesa më e madhe e tyre produkte që konsumohen gjerësisht nga fëmijët. Po flasim për ushqime që u jepen më të vegjëlve në çerdhe, kopshte, shkolla. Dhe sot më shumë se kurrë, pyetja shtrohet: kush i mbron fëmijët tanë nga ky helm që shpërndahet me vetëdije?

Kjo nuk është një shkelje administrative. Kjo është vrasje me paramendim, një krim që nuk ndodh rastësisht, por me plan, përfitim dhe pa asnjë ndërgjegje. Të hedhësh në treg ushqime të skaduara, të falsifikosh etiketa dhe të helmosh një popull është një akt i pastër kriminal. Çfarë ndëshkimi u dha për këtë? Pronari i subjektit u procedua në gjendje të lirë.

Si është e mundur që ky person, që luajti me shëndetin dhe jetën e qytetarëve, të ecë i lirë ndërkohë që pasojat e krimit të tij mund të jenë afatgjata dhe të rënda për konsumatorët, sidomos për fëmijët?

Ky vendim është një tallje me drejtësinë, një shuplakë për çdo qytetar që ushqen fëmijët me produkte nga tregu. Është një mesazh i rrezikshëm që u dërgohet kriminelëve ekonomikë “Vazhdoni, nuk ka pasoja.”

Jo, ky nuk është gabim, është alarm kombëtar. Këta njerëz meritojnë dënim shembullor, hetim të thelluar, ndjekje penale për rrezikim të jetës, dhe jo liri! Sepse kur drejtësia nuk flet, krimi merr zemër. Dhe kur krimi është ushqimi i fëmijëve tanë, nuk ka më as justifikim dhe as tolerancë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.