Si po e dirigjojnë nga Tirana Komisarët Politikë Vetëvendosjen
Në përplasjen që po vazhdon ditëve të fundit brenda Lëvizjes Vetëvendosje, një rol qendror po e luajnë edhe aktivistët e VV’së në Shqipëri. Tash që Kurti ndodhet prapa grilave, komisarët nga Tirana si besnikë të Albin Kurtit virtualisht po i qërojnë hesapet me kundërshtarët. Njëri prej ideologëve përtej kufirit, Hysamedin Feraj ka parë më larg se të tjerët duke thënë se “rasti Dërguti”, ka shpërfaqur dëshirën e kundërshtarëve brenda llojit – që Albin Kurti të mbahet në burg. E Komisari tjetër Bojken Abazi e ka shtyrë idenë që përplasja e madhe të trajtohet në Këshill të Përgjithshëm. Në të njëjtën linjë janë edhe aktivistët Arbër Zaimi dhe Dejona Mihaili.
Ata që janë apostrofuar si tradhtarët e liderit Albin Kurti në përpjekje për të marrë në duar frerët e partisë duket se nuk do të kalojnë lehtë. Grupi i aktvistëve në Tiranë, lojalë ndaj Albin Kurtit ka filluar gjahun. Hysamendin Feraj, Bojken Abazi, Arbër Zaimi, Dejona Mihali, Elvis Hoxha tashmë kanë filluar fushatën për t’i qëruar përfundimisht hesapet me kundërshtarët brenda llojit të cilëve duket se iu prin Dardan Molliqaj, i cili dy vitet e fundit është portretuar si i forti i lëvizjes.
Pikërisht në ditën kur u bë publik ofendimi që Aida Dërguti ia kishte bërë Kurtit gjatë një komunikimi në viber duke e quajtur mut, u bënë publike edhe kërkesat e aktivistëve nga Tirana.
Me të marrë vesh atë që kishte ndodhur ideologët dhe bashkëpunëtorët e Kurtit kishin nisur një “telegram’ nga Tirana, duke kërkuar sqarime për atë që kishte ndodhur.
Celulës së VV’së në Shqipëri, Hysamedin Ferajt, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LV, Enis Sulstarovës, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, Elvis Hoxhës, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së LV, Dejona Mihalit, Anëtare e Këshillit të Përgjithshëm dhe Drejtuese e Komiteteve, Gearda Demirajt, Anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LV, Boiken Abazit, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë, Gentian Sala, Aktivist dhe Iliada Korçarit, Aktiviste e LV u ishte drejtuar vet Visar Ymeri si përgjigje ndaj telegramit.
Ymeri e kishte siguruar që cështja “Kurti-Dërguti” do të trajtohet në mbledhjen e Kryesisë. Ymeri po ashtu i kishte siguruar “shokët e idealit” se e kishte marrë në telefon dhe e kishte qortuar Aida Dërgutin.
“Me ta parë përdorimin e asaj fyerjeje e kam marrë Aidën në telefon dhe e kam qortuar për këtë gjë duke kërkuar nga ajo që t’i fyerjet e ofendimet menjëherë” kishte shkruar Ymeri.
Aty, kryetari formal i VV’së kishte shpalosur se në VV ka probleme të mëdha tash e një vit.
“Sidoqoftë, kjo është një pjesë e vogël e një problemi shumë më të madh e më të thellë që e kemi në Lëvizje tash e më shumë se një vit e i cili është mirëmbajtur e vazhduar përmes shumë ofendimeve, shpifjeve,, insinuatave, sulmeve, herë publike përmes rrjeteve sociale, herë përmes agjitacionit te aktivistët e njerëzit jashtë Levizjes e nganjëherë nëpër forume të Lëvizjes. Ky problem kërkon zgjidhje gjithëpërfshirëse e jo parciale. Aq më pak përmes kërkimit të “kokës së turkut” kishte shfaqur brengën Ymeri.
Kryesia e VV’së ishte mbledhur urgjentisht të hënën për të diskutuar gjendjen në parti. Pak para se të nis mbledhja Dërguti dha dorëheqje nga Kryesia e VV’së ndërkohë që Qendra në Vushtrri njoftoi se e kishte shkarkuar po të njëjtën ditë nga pozita e kryetares së degës së VV’së.
Por, Tirana nuk ishte kënaqur me kaq.
Njëri nga ideologët e kësaj Lëvizjeje, Hysamedin Feraj ka shkuar përtej duke thënë se kundërshtarët e Albin Kurtit brenda Vetëvendosjes e duan të burgosur liderin shpirtëror. Ai kishte thënë se kjo dëshirë nuk kalohet vetëm me kërkim falje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



