E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si po e shkatërrojnë Tiranën “supostat” gjigande të Ramës dhe Veliajt
OP-ED

Si po e shkatërrojnë Tiranën “supostat” gjigande të Ramës dhe Veliajt

Kushtrim! Alarm! SOS! Tirana është e sëmurë! Tirana po vuan! Thellë e më thellë trupit e shpirtit të saj!…

Ajo duhet shpëtuar me çdo kusht e me çdo çmim! Qeveria e Rilindjes mav(r)i, që ka marrë revan nën drejtimin e mavijosur të një Partie Socialiste monomaniake, po bën çmos për ta shpëtuar atë! Dhe mjeti më i efektshëm është – sipas asaj të paktën – një e vetëm një: supostat gjigante d.m.th kullat e përbindshme që janë ngritur, po ngrihen dhe do të ngrihen brenda dhe rreth e rrotull kryeqytetit lumëmadh të atdheut tonë të përzishëm!

Një shembull i shkëlqyer për t’u ndjekur gjithashtu nga qeveritë e vendeve të Bashkimi Europian dhe nga bashkitë e kryeqyteteve të tyre për t’i bërë këta edhe më madhështorë! Pikërisht me suportin e supostave gjigante nga firma e paparë dhe e padëgjuar “Edi Veliaj & Erion Rama”, vjetërsirat antike të Athinës e të mbarë Greqisë së lashtë duhet të zhduken për t’ua lënë vendin supostave në fjalë nëse qeveria greke dëshiron vërtet të ndjekë shembullin e shkëlqyer të firmës së sapopërmendur për të shëruar vendin e vet! E njëjta gjë mund e duhet të thuhet për vjetërsirat antike të Romës e të mbarë gadishullit të lashtë Apenin nëse qeveria italiane dëshiron ta shërojë edhe ajo vendin e vet në “stilin” ramesk e në “drejtimin e duhur” ramist. Nxito o Europë e shkretë, e gjorë dhe mjerane t’ia rrasësh vetes nga poshtë e nga lart, majtas e djathtas, nga të gjitha vrimat e trupit, supostat gjigante të kullave të përbindshme, duke shkatërruar gjithë gjurmët dhe dëshmitë kulturore e historike të së kaluarës sate të lavdishme ndër shekuj!

Sigurisht që u bë kohë që unë po i bie kësaj kambane kushtrimi, lidhur me shkatërrimin e neveritshëm që i bëhet Tiranë sime për t’i zhdukur gjurmët dhe dëshmitë e saj kulturore e historike dhe për t’i zëvendësuar ato me kullat e përbindshme më çnjerëzore që më ka zënë syri të paktën nëpër ato kryeqytete europiane ku kam kaluar, vështruar, menduar, kuptuar e nxjerrë përfundime me kokën time e falë edukatës europiane që më kanë dhënë prindërit, si edhe mësuesit e mi shqiptarë e të huaj. Por kësaj here – dhe këtë nuk mund ta kaloj kurrsesi në heshtje – një impuls të ri i dha zemëratës sime shkrimi tronditës i parapakkohshëm i Armand Shullakut në portalin “lapsi. al” me titull “Si po zhduket Tirana e romaneve të Kadaresë”, ku shpaloset lakuriq një e vërtetë tejet e dhimbshme: Kush lexon apo rilexon sot disa nga librat e Kadaresë, e ka shumë të vështirë të gjejë në Tiranën e shpërfytyruar ato pika orientimi kulturor të domosdoshme për të njohur historinë dhe për të soditur peizazhin e saj shpirtëror ndër dekada. Ja si shprehet Armand Shullaku: “Në Tiranë është e vështirë të gjesh imazhe për të ndërtuar librat e Kadaresë. Sot këta libra janë dëshmi e një qyteti, që nuk e njeh më askush. Si mund të ndihet shkrimtari kur i vdes vepra në të gjallë të tij?”

Meqë kam studiuar në Francë për Gjuhë- Letërsi e Qytetërim Francez, krejt natyrshëm më lindin disa pyetje: Si do të ishin ndier Rasini, Korneji e Molieri po të ndërtoheshin kulla të përbindshme në vend të Teatrit “La Comédie Française”, ku në shekullin XVII janë luajtur tragjeditë apo komeditë e tyre? Si do të ishin ndier Hygoi, Balzaku, Mopasani, Dymai po të ndërtoheshin kulla të përbindshme te shëtitorja Champs-Elysées , që ata e kanë populluar në shekullin XIX me personazhet e veprave të tyre? Dhe jo vetëm kaq, por si do të ishin ndier francezët e sotëm sikur në vend të shtëpisë muze të Hygoit apo asaj të Balzakut të lartësoheshin, të neveritshme e të përbuzshme, ca kulla anonime mospërfillëse? Si do të ishin ndier filozofët, piktorët, kompozitorët e këngëtarët francezë sikur universitetet, klubet, studiot, operat e sallat e koncerteve ku ata kanë shpalosur veprimtaritë e tyre intelektuale e artistike, të shkatërroheshin për t’u zëvendësuar marrëzisht e djallëzisht me kulla të zymta indiferente ndaj historisë së kombit francez?

Si do të ishin ndier francezët e sotëm sikur kullat e neveritshme në fjalë ta anulonin, duke e shumëzuar me zero historinë e artit e të kulturës së tyre ndër shekuj? Ah, sa dëshirë do të kisha sikur firma e fuqishme “Edi Veliaj & Erion Rama” të denjonte t’u përgjigjej pyetjeve që sapo shtrova! Por e di, gjithsesi, që ajo nuk ka kohë të merret as me mua, as me Armand Shullakun e as me cilindo ngre, me shqetësim e indinjatë, çështjen e asaj që mund të quhet “kultura e betonit qiellpërpirës” ose “kulti i rulit rrafshues të parasë”. Kështu që, me keqardhje më duhet të pranoj se popullit tim të urtë, tepër të urtë, madje deri në nënshtrim mazokist, i pëlqyekan shumë supostat gjigante, supostat e përbindshme që po e kthejnë Tiranën në një kryeqytet, i cili për fat të keq, në veçanti për brezat e ardhshëm, është duke humbur përfundimisht vetveten.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.