Si po shfrytëzohen raportet mjeko-ligjore për lirimin e të burgosurve
Lirimet me kusht të personave me profil të lartë kriminal, të cilët dalin nga burgu përmes raporteve mjeko-ligjore të dyshimta, po ekspozojnë një nga plagët më të thella të sistemit të drejtësisë. Raste të shumta tregojnë se kjo praktikë është shndërruar në një portë të hapur për rikthimin e të dënuarve në aktivitetet kriminale, në vend që të shërbejë si mekanizëm rehabilitimi.
Zyrtarë të burgjeve pohojnë se shumë prej të liruarve me kusht vijojnë të jenë kontingjent aktiv kriminal. “Policia i njeh si kontingjente të hapura dhe i mban në monitorim”, deklaroi zv/drejtori i Burgjeve, duke theksuar se për disa kategori, si dhuna seksuale, ekzistojnë edhe regjistra të posaçëm ndjekjeje.
Edhe ekspertët e drejtësisë e pranojnë se manipulimi i ekspertizave mjeko-ligjore është real dhe i provueshëm. Sipas avokatëve, nëse një raport dyshohet si fals, organet proceduese kanë mundësi ta verifikojnë dhe ta rrëzojnë.
Nga ana tjetër, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nënvizon se proceset disiplinore ndaj magjistratëve duhet të ndiqen vetëm sipas standardeve të përcaktuara në kushtetutë, duke shmangur çdo veprim të nxituar. “ILD është e kujdesshme sepse vendimet e saj kontrollohen deri edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut”, tha kreu i institucionit, Artur Metani.
Rasti “Borizanë”: shembulli më i freskët i dy standardeve
Ngjarja e 6 korrikut 2023 në Borizanë të Krujës, ku anëtarë të fisit Rraja sulmuan barbarisht dy kushërinj, është një ilustrim i qartë i funksionimit të drejtësisë me dy standarde. Pavarësisht pamjeve filmike dhe dëshmive që vërtetonin një akt të organizuar dhune, çështja u zbut ndjeshëm pak javë më vonë.
Pas një ekspertize të diskutueshme mjeko-ligjore, plagët e viktimave u klasifikuan si “të lehta”, duke e zhvendosur barrën e ndjekjes penale tek vetë të dëmtuarit – një manovër që praktikisht e bën të vështirë ndëshkimin e autorëve.
Avokatë të njohur kërkojnë rishikimin e mënyrës së licencimit të ekspertëve, duke theksuar se nuk mund të jetë një grup i vogël personash që përcaktojnë fatin e hetimeve dhe dënimeve.
Nevoja për reformim urgjent
Sipas ekspertëve, situata aktuale e ka bërë lirimin me kusht një mekanizëm të rrezikshëm, që përdoret më shumë për t’i shpëtuar burgut sesa për të dokumentuar gjendje reale shëndetësore. Është thelbësore që sistemit t’i rikthehet integriteti, të forcohen kontrollet mbi ekspertizat dhe të garantohet që vetëm të rehabilituarit të përfitojnë lehtësime.
Në të kundërt, fenomeni do të vijojë të prodhojë të njëjtin rezultat: kriminelë të rrezikshëm rikthehen në terren, ndërsa drejtësia mbyll një sy.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



