Si reagoi Basha kur Berisha “zbarkoi” në PD, prapaskenat e bravave dhe zyrat pa karrige
Nuk ka qetësi në Partinë Demokratike. Përplasja mes ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetari të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka avancuar në një tjetër dimension.
Pasi kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e pezulloi nga Grupi Parlamentar i PD-së Sali Berishën për shkak se është person i shpallur “non grata” nga SHBA-ja, lideri historik i kësaj partie nuk kishte shkelur në selinë blu, por nisi turin e tij të takimeve që e finalizoi me Kuvendin Kombëtar të organizuar ditën e shtunë më 11 dhjetor. Ndërkohë, sot pas afro 4 muajsh, ai u rikthye në selinë blu së bashku me anëtarët e Komisionit të rithemelimit të PD-së që u ngrit në takimin e 11 dhjetorit.
PËRPLASJA
Orët e para të mëngjesit të së hënës ishte “qetësi para stuhie”. Rreth orës 11, indicia e parë e një dite të gjatë erdhi kur ish-studenti i dhjetorit, Bislim Ahmetaj, erdhi në selinë blu me pretendimin se do të organizonte mbledhje me anëtarët e grupit të dhjetorit, por që sipas tij ai u mbyll më pas në zyrë. Në një deklaratë për mediat ai tha se shkallmoi derën për të dalë dhe për të dhënë konferencën për mediat. “Kisha thirrur kryesinë e grupit në zyrën tonë, në selinë e PD-së. Zyrë që e kemi prej 25 vitesh. Sot, gjendemi para një ngjarje të lig. Ne u futëm brenda dhe u mbyll dhe dera e brendshme. Na e mbyllën derën dhe na lanë në zyrën tonë. Bravën tonë nuk e kishin ndërruar, por bravat e tjera i kanë ndryshuar. Është diçka që e ul akoma më shumë vlerën dhe reputacionin që mund të ketë një njeri i zakonshëm, anëtari Lulzim Basha. U ndërrova me të në shkallë. Sapo u ngjita lart, dera na u mbyll. Para 10 ditësh, ne kemi qenë për herë të fundit në zyrën tonë. Nuk do të ndodhë asnjë konflikt. Vendos anëtarësia dhe nuk vendos kryetari. Zyrës sonë nuk i është ndërruar brava. Ama dy nga dyert e mëdha janë mbyllur dhe ne nuk kishim nga të dilnim. Për të folur këtu me ju u detyruam të shpërthenim një nga to”, tha Ahmetaj.
Ky ishte vetëm fillimi i kalvarit të ngjarjeve të ditës së djeshme se vetëm 30 minuta nga dalja publike e z. Ahmetaj. Ishte selia blu, e cila njoftoi se kishte paditur në SPAK tre deputetët e vetë dhe dy sekretarët që morën pjesë në aktivitetin e Berishës. Sipas fletës së parë të padisë të shpërndarë nga zyra e medias së PD-së, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, kallëzoi penalisht në SPAK deputetët Belind Këlliçi, Edmond Spahon dhe Albana Vokshin dhe po ashtu edhe dy sekretarët Ivi Kaso dhe Ervin Minarolli. Akuza e ngritur ndaj tyre ishte “falsifikim i vulave dhe stampave”. Ndaj padisë reagoi Belind Këlliçi, i cili e barazoi me procedurat që ka të hapura me kryebashkiakun Veliaj dhe me Policinë. Ndërkohë, pati edhe një paralajmërim për numrin dy të PD-së.
“Nga viti 2015 kur u zgjodha kryetar i FRPD-së, bashkë me qindra demokratë të tjerë, kemi provuar në kurriz qelitë, gazin lotsjellës dhe dhunën policore. Është bërë gjithçka për të na asgjësuar si Parti Demokratike. Ndaj meje janë depozituar 11 padi në SPAK nga Erion Veliaj, Ardian Çela, Mirel Mërtiri dhe gjithë fijet e tjera të pushtetit okult të Edi Ramës. Sot, mu shtua edhe një, nga Gazment Bardhi! Zoti Bardhi! Ju dhe ish-kryetari ynë jeni shkarkuar nga funksionet tuaja nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike më 11 dhjetor 2021. Me padinë tënde të porositur s’ma bën syri tërr. Ju sugjeroj të përdorni si dalje nga selia derën e FRPD-së, në anën perëndimore të godinës”, shkroi Këlliçi.
BERISHA ZBARKON NË PD
Pas këtyre përplasjeve në distancë mes dy palëve, selia blu në ambientet e jashtme nisi të mbushej plot me burra dhe çuna të rinj. Duket se të dyja palët, si PD-ja zyrtare ashtu edhe grupi për rithemelimin e PD-së kishin marrë masat për mbrojtjen e pozitave të tyre. Ndërkohë, kryetari i PD-së ndodhej në sallën e mbledhjeve së bashku me grupin e të rinjve, të cilët po angazhohen për organizimin e procesit për zgjedhjet e FRPD-së. Nuk zgjati shumë dhe në portën e selisë blu u rishfaq Sali Berisha së bashku me Komisionin e Rithemelimit. Ish-Kryeministri hyri në seli duke u përshëndetur fillimisht me recepsionistin dhe më pas u drejtua për në katin e dytë. Ndërkohë që informacioni për zbarkimin e Berishës në PD kishte mbërritur më herët te kryedemokrati Basha, i cili porositi stafin që Berisha të mos pengohej të futej brenda.
Por, Basha kishte rezervuar një surprizë për të. Kreu i PD-së kishte zënë sallën e madhe të mbledhjeve me aktivitetin e tij, ndërsa për Berishën dhe Grupin e Rithemelimit të PD-së kishte lënë hapur sallën e mbledhjes së kryesisë, e cila është një sallë më e vogël. Por, ajo që rezultoi një surprizë e pakëndshme për liderin historik të PD-së ishte fakti se stafi i selisë blu hoqi karriget nga salla pak minuta pasi Berisha të vinte në PD. Gazeta “Panorama” mësoi përmes burimeve se pasi Basha kishte marrë informacionin se z. Berisha do të vinte në PD, ai kishte urdhëruar që lideri historik të mos pengohej, por të lirohej zyra ku zhvilloheshin mbledhjet e kryesisë. Megjithatë, Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit të PD-së e zhvilluan mbledhjen pasi mundën të gjenin vetëm dy karrige. Ndërkohë në përfundim, ish-kryedemokrati u shpreh se Komisioni në ditët në vijim do vazhdojë punën në aspektet e tjera politike.
“Basha është i shkarkuar nga Kuvendi, por në respekt të anëtarësisë, ata do të shprehen për deputetin Basha. Komisioni ka aspektin e vet politik dhe burokratik, do t’i kombinojnë të dyja, me zyrën e Bashës nuk kemi punë, vijmë këtu për të bërë mbledhje dhe deputeti Basha deri në 18 duhet të reflektojë për vendimin e Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e Europës, ku triumfoi vullneti i anëtarëve. Sot, futem si njëri nga anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD-së, janë të gjithë të barabartë. Firma e turpit që padit në prokurorinë e tij dhe të Ramës, nuk ka akt më të padenjë”, vijoi deklaratën e tij Berisha për mediat, pasi ishte futur në ambientet e PD-së.
DENONCIMI NË ZYRËN E FRPD
Pavarësisht se situata ishte e tensionuar mes të dyja palëve deri në përfundimin e mbledhjes së Berishës, nuk pati incidente. Por më pas, situata nisi të tensionohej. Pasi lideri historik i PD-së doli nga selia blu, ai u drejtua nga zyrat e Forumit Rinor të PD-së aty ku u përballë me shoqëruesit e kryedemokratit Basha, të cilët u shmangën pa provokuar incidente. Por teksa hynë brenda, kryetari i FRPD-së Belind Këlliçi deklaroi se ishin ndryshuar bravat e zyrës dhe se i ishin marrë sendet personale dhe informacionet që gjendeshin aty.
“Është vjedhur zyra e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Përgjegjës bëj drejtpërdrejt Lulzim Bashën, pasi nuk e ka askush kurajën të hapë dhe të shqyej portat e zyrës së një zyrtari në Partinë Demokratike. Në zyrën time janë vjedhur sende të mijat personale dhe disa USB të mija personale. Gjatë kohës që kam qenë duke parë zyrën me të rinjtë e Partisë Demokratike, kanë ardhur persona dhe më thanë se janë intimiduar nga persona të armatosur brenda Partisë Demokratike. Nëse mendojnë se do t’i stepin të rinjtë e Partisë Demokratike e kanë shumë gabim”, tha Këlliçi.
Ndërkohë që akuzoi Policinë se ndonëse e kishte informuar për një vjedhje, uniformat blu nuk paraqiteshin në zyrë për të regjistruar denoncimin dhe të administronin provat. Ndërkohë pas kësaj, pati edhe një denoncim tjetër nga z. Berisha, sipas të cilit njerëzit që e shoqëronin atë ishin kërcënuar me armë nga personat që qëndronin në shkallët që të çonin për në zyrën e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Pas këtij denoncimi, Berisha u largua nga selia blu, ndërsa z. Këlliç së bashku me anëtarët e FRPD-së bën denoncimin në Komisariatin nr. 1. Ndërkohë që mbetet për të parë se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



