E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si u bashkua Këlliçi me Ballukun kundër Ramës dhe Veliajt
Flash

Si u bashkua Këlliçi me Ballukun kundër Ramës dhe Veliajt

PRAPASKENAT

Një seri komunikimesh të brendshme që hedhin dritë mbi mënyrën se si janë organizuar protestat e vitit 2020 për Teatrin Kombëtar janë bërë publike, ku në qendër të akuzave ndodhen deputeti demokrat Belind Këlliçi dhe një prej vartësve më të afërt të zv.kryeministres Belinda Balluku, Arbër Avrami.

Protestat e majit 2020 dhe roli i Këlliçit

Në maj të vitit 2020, pak ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, protestat para Bashkisë së Tiranës u drejtuan kryesisht nga Belind Këlliçi, në atë kohë kreu i FRPD-së. Ai u shoqërua në komisariat më 17 maj dhe pretendoi publikisht se ishte dhunuar. Por dokumente të publikuara së fundmi mund të tregojnë një arsye tjetër të “angazhimit të tij maksimal” në protestat kundër kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.

Komunikimet e siguruara nga telefonat e zyrtarëve të Ballukut

Përmbajtja e mesazheve është gjetur në telefonat e disa drejtorëve nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të sekuestruar gjatë hetimeve që po kryhen ndaj Belinda Ballukut dhe stafit të saj.

Në dy biseda të datave 19 dhe 21 maj 2020, Arbër Avrami — në atë kohë drejtor i “Albgaz” dhe një prej njerëzve më të besuar të Ballukut — komunikon drejtpërdrejt me Belind Këlliçin. Sipas përmbajtjes së publikuar, Këlliçi shprehet se është i gatshëm të marrë pjesë në protestat “si të doni”, ndërsa Avrami i kërkon të mobilizojë edhe protestues të tjerë për datën që ata caktojnë.

Vetëm një ditë pas këtyre komunikimeve, më 22 maj, u zhvillua protesta e radhës kundër shembjes së Teatrit, e organizuar zyrtarisht nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, por ku në terren dallohej dukshëm prania dhe roli i Këlliçit.

Një marrëdhënie më e thellë se sa mendohej?

Media që ka publikuar bisedat, thekson se lidhja mes Këlliçit dhe Avramit nuk kufizohet te koordinimi i protestave. Për vite me radhë, vëllai i deputetit demokrat, Reshard Këlliçi, ka qenë këshilltar i posaçëm pranë drejtorisë së Avramit në “Albgaz”, me një pagë të lartë prej 1.9 milionë lekësh të vjetër.

Ndërkohë, vetë Sali Berisha e ka deklaruar një muaj më parë se Belind Këlliçi është ndihmuar nga Belinda Balluku në protestat kundër Erion Veliajt para Bashkisë së Tiranës. Ato akuza asokohe u konsideruan si politike, por dokumentet e reja sjellin fakte që i japin tjetër dimension kësaj historie.

Nga protestat e Teatrit, në hetimet ndaj Ballukut

Për herë të parë dalin prova që lidhin stafin e zv.kryeministres Balluku jo vetëm me protestat para Bashkisë së Tiranës, por edhe me mobilizimin për protestat e vitit 2020 kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Në atë periudhë në shënjestër të protestuesve ishte jo vetëm Erion Veliaj, por edhe vetë kryeministri Edi Rama.

Hetimet ndaj Ballukut dhe vartësve të saj vijojnë, ndërsa dokumentet e publikuara pritet të nxisin debat të ri politik brenda opozitës, ku prej kohësh ka dyshime për lidhje dhe lojë të dyfishtë mes figurave të ndryshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.