E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si u ekzekutua çifti në Balldren, mbi 30 plumba drejt mjetit tyre
Lajme

Si u ekzekutua çifti në Balldren, mbi 30 plumba drejt mjetit tyre

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mesditën e sotme zonën e Balldrenit në Lezhë, ku një çift bashkëshortësh u ekzekutua në mënyrë brutale me armë zjarri. Viktimat janë identifikuar si Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, përkatësisht 39 dhe 32 vjeç, të cilët humbën jetën në vend pasi automjeti i tyre u qëllua me breshëri plumbash.

Atentati ndodhi rreth orës 14:50, në kohën kur çifti po udhëtonte me një mjet tip “Audi Q7”. Autorët dyshohet se kanë hapur zjarr në lëvizje, duke qëlluar mbi 30 herë drejt makinës, çka e bëri të pamundur çdo reagim apo shpëtim për viktimat.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe grupet hetimore, ndërsa për zbardhjen e plotë të krimit janë angazhuar edhe specialistë të Krimeve të Rënda. Deri në këto momente nuk ka persona të identifikuar si autorë, ndërsa hetimet janë përqendruar në disa pista.

Burime nga terreni bëjnë me dije se çifti sapo kishte dalë nga një lokal përgjatë aksit Lezhë–Shkodër dhe po kthehej drejt banesës së tyre, e cila ndodhej rreth 30 minuta larg vendit ku ndodhi sulmi fatal. Ata ishin prindër të katër fëmijëve.

Kreu i Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, ka konfirmuar se automjeti është qëlluar me breshëri plumbash ndërsa ishte në lëvizje, një element që tregon për një atentat të mirëorganizuar.

Ndërkohë, një detaj i rëndësishëm që po verifikohet nga hetuesit lidhet me të kaluarën e viktimës mashkull. Në vitin 2017, Kreshnik Mujeci ishte arrestuar si i dyshuar për përfshirje në një vrasje të ndodhur në Shkodër, ku u akuzua për “vrasje me paramendim” në bashkëpunim.

Policia vijon kontrollet dhe po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa zona është mbajtur nën monitorim të rreptë pas ngjarjes që ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.