E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si u hakeruan kompjuterët e tre prokurorë të SPAK
Lajme

Si u hakeruan kompjuterët e tre prokurorë të SPAK

Të dhëna sensitive në duar të zyrtarëve dhe politikanëve

Tiranë – Disa javë më parë, në orët e vona të natës, sistemi i alarmit të sigurisë së lartë në ambientet e SPAK u aktivizua në mënyrë të pazakontë. Sinjali tregonte një ndërhyrje të paautorizuar në rrjetin e brendshëm informatik, çka vuri menjëherë në lëvizje oficerët e BKH-së dhe ekipin e IT-së.

Burime të sigurta konfirmojnë se autor i dyshuar i këtij sulmi është Arnold Rrokaj, tashmë i arrestuar, i cili kishte siguruar akses të paligjshëm në kompjuterët e disa prej prokurorëve më të rëndësishëm të strukturës:

Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini. Këta të fundit janë përfshirë në hetime delikate që prekin zyrtarë të lartë të dyshuar për korrupsion, si dhe rrjete të krimit të organizuar.

Nga hetimet paraprake, rezulton se materialet e marra prej Rrokajt janë shpërndarë më tej tek ish-zyrtari i burgut të Vlorës, Zambak Gjonaj, dhe më pas te persona të tjerë në rrethin e tij shoqëror. Disa prej këtyre dokumenteve kanë përfunduar edhe në telefonin e Agim Ismailit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, si dhe në pajisjen celulare të Dritan Palnikajt, sekretar aktual në Ministrinë e Arsimit.

Palnikaj është marrë në pyetje ditët e fundit nga hetuesit e SPAK dhe telefoni i tij është sekuestruar për ekzaminim të mëtejshëm. Ndër materialet e komprometuara ka të dhëna që lidhen me dosjen e inceneratorëve dhe hetime të tjera që përfshijnë zyrtarë të profilit të lartë dhe grupe kriminale.

Pavarësisht këtij sulmi të rëndë kibernetik, falë ndërhyrjes së shpejtë të agjentëve të BKH-së, është arritur të parandalohet depërtimi në sistemet më të ndjeshme të SPAK, përfshirë laboratorin sekret dhe rrjetin e drejtuesve të institucionit.

Hetimet vijojnë, ndërsa ky skandal ngre alarmin për sigurinë e të dhënave konfidenciale të drejtësisë dhe ekspozon rrjedhje të mundshme informacioni në nivelet më të larta të administratës dhe politikës.

Foto: Dritan Palnikaj duke dalë nga ambientet e SPAK./weblajm
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.