Si u kanalizuan 14 milionë euro të shëndetësisë te Rejsi Farma, kompania e ilaçeve të skaduara
Mafia e Barnave
Një pjesë e buxhetit të shëndetësisë për vitin 2025 është kthyer në një skemë të rafinuar korrupsioni, ku përfitores kryesore rezulton kompania farmaceutike Rejsi Farma, e denoncuar më herët për kontrabandë dhe shpërndarje barnash të skaduara. Në qendër të kësaj afere qëndron Merita Sheqi, një emër i njohur për lidhje të forta me pushtetin dhe kupolën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë kontrollit që ka kryer FSDKSH, në 21 dhjetor 2022, në depon importuese farmaceutike Rejsi Farma janë konstatuar 18. medikamente të skaduara, në sasinë 12 mijë copë, me vlerë mbi 400 mijë euro.


Afati i skadencës për këto ilaçe të rimburueshme kishte kaluar mbi 1 vit.
14 milionë euro pa garë Pazar në tavolinë me firmë shtetërore
Në vetëm tre muajt e parë të vitit, janë firmosur katër tendera me një vlerë totale prej 14 milionë euro, të gjitha në favor të Rejsi Farma. Të katër tenderat kanë qenë pa garë të hapur, me ofertën fituese sa fondi limit një sinjal alarmi për çdo organ hetimor.
Një nga këto është tenderi i 19 marsit 2025, i firmosur nga ministrja
Albana Koçiu dhe sekretari i përgjithshëm Lavdrim Sahitaj, për furnizimin e QSUT me barin Daratumumab. Vlera: 6.1 milionë euro, ofertë identike me fondin limit. Transparenca: zero. Garancia për cilësinë e barnave: inekzistente.
Fituesi është paracaktuar me pazar në tavolinë, është injoruar opsioni i barnave alternative me çimim më të lirë, barnat që sjell Rejsi Farma dyshohet se janë skarco dhe mes palëve dyshohet se është ndarë në formë ryshfeti 1/3 e vlerës së këtij tenderi.


Po atë ditë, një tjetër tender me vlerë 1 milion euro, për barin Lanadelumab, i jepet po Rejsi Farma. Ndërsa në 1 janar, me vitin e ri ende të pashuar, Sahitaj firmos tenderin e katërt me vlerë 1.3 milion euro, për barin Ravulizumab.
Rejsi Farma një depo me ilaçe të skaduara
Një raport tronditës i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) tregon se gjatë një inspektimi të kryer më 21 dhjetor 2022, në Rejsi Farma janë konstatuar 12 mijë copë medikamente të skaduara, me vlerë mbi 400 mijë euro. Ilaçet kishin kaluar skadencën mbi 1 vit, pa asnjë dokumentim të nxjerrjes jashtë përdorimit apo njoftimi zyrtar tek organet tatimore apo Agjencia Kombëtare e Barnave.
Në vend të sekuestrimit të menjëhershëm, grupi i kontrollit i përbërë nga zyrtarë të FSDKSH-së mbajti një procesverbal me shkrim dore, pa evidenca fotografike dhe në kundërshtim me çdo standard ligjor. Madje, janë përzgjedhur vetëm 55 barna – të kërkuara nga vetë Merita Sheqi – nga 146 që përfshiheshin në kontratën me shtetin.
KLSH paralajmëron se barnat e skaduara mund të jenë rifutur në treg dhe rimbursuar nga shteti, me pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin e pacientëve.
Zinxhiri i korrupsionit: Çela, Manastirliu dhe klientela politike
Sipas të dhënave të mbledhura, ish-drejtoresha e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Albana Çela (Adhami), nën mbrojtjen e Ogerta Manastirliut, ka ndihmuar në mbulimin e skemave të Rejsi Farma përmes receta fiktive, rimbursime të fryra dhe fshehje të barnave të skaduara. Dyshohet se Çela është paguar nga Merita Sheqi për të mbajtur në heshtje aferën, ndërsa Manastirliu e ka ruajtur në detyrë për tre vite, duke përfituar pjesën e saj.
Paratë e ilaçeve në makina luksoze, vila dhe jetë sheiku
Ndërsa paratë e publikut kanalizohen në tendera të dyshimtë, djali i Merita Sheqit, Rejdi Sheqi, ekspozon jetën luksoze në rrjetet sociale. Me një McLaren 170 mijë euro, Maybach AMG, ora Hublot, dhe një vilë në Rolling Hills, Rejdi përfaqëson simbiozën e pastrimit të parave me arrogancën e pasurimit të shpejtë.
Ai frekuenton rrethin e “çunave të babit”, të pasuruar nga paratë e korrupsionit publik, ndërsa SPAK ende nuk ka vepruar për të hetuar këtë skemë kriminale që rrezikon seriozisht shëndetin e shqiptarëve dhe besimin tek sistemi shëndetësor.
Kjo nuk është më thjesht një aferë tenderash është një krizë kombëtare që SPAK duhet të ndalë tani!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



